28 11 2020

Homazhe dhe vizita në nderim të dëshmorëve dhe të figurave kombëtare, me rastin e Ditës së Flamurit – 28 Nëntorit

Një delegacion nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, i kryesuar nga kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, sot në ditën e 28 Nëntorit, bënë homazhe tek memoriali i familjes Jashari, 59 anëtarët e së cilës ranë heroikisht duke i dhënë hovin vendimtar çlirimit të Kosovës.

Pas homazheve në Prekaz, kryetari Kurti tha se Skënderbeu në Krujë, Ismail Qemali në Vlorë dhe Adem Jashari në Prekaz, përbëjnë tre ngjarje historike që të përbashkët kanë 28 Nëntorin e që përkon me gurëthemelin e identitetit kombëtar shqiptar. Në mungesë të kryetarit të Grupit tonë Parlamentar, Rexhep Selimi, por në praninë e bashkëshortes së tij, Shqipe Selimi, pas homazheve në Prekaz, ky delegacion vizitoi edhe familjen e tij në Prishtinë. Nga aty, homazhe bënë edhe tek lapidari dhe varrezat e dëshmorëve në Llap, për të vazhduar tek shtatoret e heronjëve Edmond Hoxha, Hakif Zenjullahu, Zahir Pajaziti dhe Ilir Konushevci e Ali Ajetit në Besianë. 

Kurse në anën tjetër, një delegacion tjetër i përbërë nga anëtarë të kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! bënë homazhe e nderime te shtatorja e Ismail Qemalit dhe ajo e Zahir Pajazitit në Prishtinë, busti i Isa Kastratit e pllaka përkujtimore për Afrim Zhitinë e Sokol Sopin, varrezat e dëshmorëve në Prishtinë dhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi.

Dy delegacionet u takuan në Prishtinë për të bërë së bashku nderime tek lapidari i Demostratave për Republikë dhe Vetëvendosje për Kosovë dhe viset shqiptare të vitit 1968.

Ngjarje, personalitete, veprimtarë të kombit tonë në periudha të ndryshme, në beteja politike e ushtarake, në paqe e në luftë, në okupim e në lëvizje ilegale ose legale, të gjithë e kanë 28 Nëntorin pikë referuese dhe synim të përmbushjes së idealit që kjo datë përfaqëson. Kështu do të mbetet për shqiptarët kudo që janë.  

Kontribo