Homazhe në kujtim të martirëve dhe dëshmorëve nga Sllovia e Lipjanit dhe Lagjja e Boshnjakëve në Mitrovicë
Sot, në Republikën tonë, u organizuan homazhe për të kujtuar dhe nderuar 45 civilë shqiptarë në Sllovi të Lipjanit dhe 23 të tjerë në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë, të cilët u masakruan para 25 vitesh nga forcave serbe gjatë luftës në Kosovë.
Kryeministri, Albin Kurti, bashkë me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, anëtarë të kabinetit qeverisës, deputetë, dhe aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial të varrezave në fshatin Sllovi të Lipjanit, ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, me ministrin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqin kanë bërë homazhe në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë.
Në Sllovi, Kryetari Konjufca, tha se këto ditë janë ditë të dhimbjes por edhe të krenarisë për arsye se gjaku i dëshmorëve dhe martirëve qëndron në themelet e lirisë dhe të shtetit tonë.
“Sot bëra homazhe për nder të martirëve të Sllovisë, duke iu përkulur me respektin më të lartë sakrificës sublime. Dhimbja është shumë e madhe kur e dimë se sa shumë dha populli ynë për lirinë që e gëzojmë sot. Martirët tanë janë dëshmia e së drejtës sonë, e obligimit për drejtësi, të cilën nuk do reshtim kurrë së kërkuari. Ata janë thirrja ndaj ndërgjegjes sonë individuale dhe kolektive se duhet të bëjmë vazhdimisht më shumë për Kosovën”, ka shkruar ai.
Në Mitrovicë, ministri Sveçla, tha se përkulemi para sakrificës së të rënëve dhe angazhohemi çdo ditë për zbardhjen e krimeve të Serbisë dhe sjelljen e kriminelëve para drejtësisë.
“25 vite më parë, forcat serbe grumbulluan rreth 80 shqiptarë në shtëpinë e Mustafë Sahitit në Lagjen e Boshnjakëve ku i keqtrajtuan, torturuan e masakruan 23 prej tyre. I përulemi sakrificës së të rënëve për lirinë që e gëzojmë ndërsa si institucione të Republikës së Kosovës po angazhohemi çdo ditë në zbardhjen e krimeve që Serbia kreu në Kosovë dhe sjelljen e kriminelëve para drejtësisë”, ka thënë ministri Sveçla.