Homazhe në kujtim të rënies së lavdishme të Komandant Mujë Krasniqit dhe 41 ushtarëve të UÇK-së
Sot, një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i prirë nga kryetari Albin Kurti bëri homazhe në kujtim të rënies së lavdishme të Komandant Mujë Krasniqit dhe 41 ushtarëve të UÇK-së, të cilët 22 vjet më parë po bartnin armë e municion nga Shqipëria për në Kosovë në mbështetje të luftës çlirimtare.
Në mëngjesin e acartë të 13 dhjetorit,1998, nga fshati malor Cahan në Shqipëri u nisën drejt Kosovës 143 ushtarë që po bartnin armatim të rëndë për ta mbështetur luftën çlirimtare në Kosovë. Nëpër bjeshkët e larta të Pashtrikut, e dëborën e madhe, atyre po u printe Mujë Krasniqi, apo siç e quanin bashkëluftëtarët Komandant ‘Kapuçi”. Edhe pse kishte fjalë që forcat serbe kishin zënë pozicione, Muja dhe bashkëluftëtarët tashmë kishin vendosur ta luftojnë okupatorin serb kudo që e hasin. Kjo ndodhi në mëngjesin e hershëm të datës 14 dhjetor, ku në relacionin Lkenet e Hasit-Gorozhup filloi ajo që tani quhet Beteja e Lavdishme e Pashtrikut. Pas luftimeve të gjata heroikisht ranë Mujë Krasniqi dhe 41 luftëtarë të tjerë të lirisë.
Komandant Mujë Krasniqi me bashkëluftëtarë na mësuan që vendosmëria për ta fituar lirinë nuk njeh rrugë të vështirë apo të rrezikshme. Sot, përkulemi para jetës dhe veprës së dëshmorëve tanë.