06 03 2019

Homazhe në Prekaz

Një delegacion i LV-së, i prirë nga nënkryetari Besnik Bislimi, nënkryetarja Fatmire Mulhaxha Kollçaku, shefi i GP-së Glauk Konjfuca dhe deputetë e aktivistë të tjerë të Lëvizjes kryen homazhe sot në Prekaz tek varrezat e familjes Jashari në nderim të veprës dhe sakrificës së kësaj familje dhe luftës së UÇK-së për liri të Kosovës.

Pas homazheve nënkryetari Besnik Bislimi deklaroi:

“Homazhet e sotme janë shenja përmes të cilës i tregojmë e ritregojmë vetes dhe botës sesa shumë mbështetemi te dëshmorët e familjes Jashari dhe te të gjithë dëshmorët e tjerë të kombit tonë. Në këtë vend, 21 vite më parë Adem e Hamzë Jashari, kryeluftëtarët e lirisë ranë heroikisht bashkë me 56 anëtarë tjerë të familjes dhe treguan se e duan Kosovën dhe popullin e saj më shumë se veten. Ata na treguan gjithë neve dhe botës se si një familje e vetme mund ta ndryshojë rrjedhën e historisë dhe fatin e një populli. Ata dëshmuan se kur do diçka që nuk ke patur kurrë, mbase edhe duhet bërë diçka që se kishe bërë asnjëherë më parë. Me homazhet tona të përvitme, ne duam të dërgojmë tri mesazhe tek familja Jashari: Që duke sakrifikuar më të çmueshmen e tyre dhe më të dashurit e tyre, ata në fakt nuk i humbën familjarët e tyre, por i bartën ata tek secili prej nesh, nga marsi 1998 e deri në përjetësi. Që ne e kuptojmë drejt mesazhin e kësaj sakrifice dhe që mund t’i shikojmë ende në sy familjen Jashari duke konfirmuar që nuk kemi devijuar nga përpjekja për mbrojtjen dhe avancimin e amaneteve të tyre. Dhe që të gjithë së bashku nuk do lejojmë askë që të rrezikojë themelet e lirisë dhe sovranitetit tonë. Lavdi e përjetshme veprës dhe besimeve të tyre!”.

Po ashtu fëmijët e aktivistëve dhe deputetëve të Lëvizjes vendosën lule tek varret e familjes Jashari.

Kontribo