Homazhe për Adem Demaçin
Në një vjetorin e vdekjes së Adem Demaçit, një delegacion nga Lëvizja VETËVENDOSJE! i prirë nga Kryetari Albin Kurti, së bashku me veprimtarë politik, deputetë dhe aktivistë, mbajti homazhe në nder të jetës së tij kushtuar dashurisë për atdheun, çlirimit nga okupatori dhe barazisë në popull e mes popujsh.
Adem Demaçi na e bashkon të ardhmen me historinë e përpjekjeve tona për liri, vetëvendosje dhe barazi. Në figurën e tij bëhen bashkë mendimi dhe ndjeshmëria më e lartë për çlirimin. Falë tij kemi mësuar se përpjekja për çlirim është e domosdoshme, se liria na thërret për ta jetuar të gjithë jetën në shërbim të saj.
Adem Demaçi u rrit, jetoi dhe vdiq i lirë. Ideja dhe ndjenja e lirisë e zgjodhën të edukohej, të luftonte dhe të vdiste brenda kësaj ideje. Adem Demaçi është zgjerimi maksimal i imagjinatës politike të popullit tonë. Jeta e tij është edukim dhe emancipim për ne, lavd lirie, ngazëllim jete.