Homazhe për Fazli Greiçevcin.
Sot, në përvjëtorin e vrasjes mizore të mësuesit atdhetar Fazli Greiçevci, një delegacion i Lëvizjes i prirë nga Kryetari Albin Kurti bëri homazhe te varri i tij në Sankofc të Drenasit.
Fazli Greiçevci përvec angazhimit në punë ishte pjesë e grupeve ilegale të asaj kohe që për qëllim kishin vetvendosjen për Kosovën dhe bashkimin me Shqipërinë. Ai ishte pjesëmarrës në mbledhjen e shtatorit të vitit 1963 ku u themelua organizata e fshehtë atdhetare e quajtur, “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve“ e cila udhëhiqej nga veprimtari i cështjes kombëtare Adem Demaçi.
Shkrimtarit tonë Adem Gashit ja arrestuan mësuesin flamurtar para 55 viteve. Ishte ditë tregu ajo. Ai sot mbajti një fjalë rasti para neve të pranishmëve që ta përkujtonte atë:
“Fazli Greiçevci ishte me profesion mësues, me vokacion atdhetar dhe më pasion poet. Me të trija këto ai arriti majat dhe shkëlqeu”, tha ai.
Mësuesi atdhetar u vra mizorisht me torturë në burg nga shteti serb që më pas tentoi edhe të fsheh vrasjen e tij. Por, tashmë ishte vonë, vepra e Fazli Greiçevcit ishte bërë frymëzim për shumë dimensione të jetës e për të gjithë popullin. Emri dhe vepra e tij u bënë inspirim për rapsodët e këngës popullore, për vargjet e poetëve dhe rrëfimet e shkrimtarëve. Ai ishte bërë simbol i angazhimit për çlirim kombëtar.
Lavdi jetës dhe veprës!