17 01 2021

Homazhe për Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën

Sot pas 39 vitesh së vrasjes së veprimtarëve Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, shqiptarët ecin ende në kërkesat dhe përpjekjet e tyre. Në përvjetorin e rënies së tyre, kandidati për kryeministër, kryetari Albin Kurti dhe ushtruesja e detyrës së Presidentes Vjosa Osmani bënë homazhe në vendlindjen e vëllezërve Gërvalla në Dubovik tek memoriali dhe vizituan shtëpinë muze. Ata u pritën nga bija e veprimtarit, aktivistit, intelektualit e artistit Jusuf Gërvalla, njëherësh edhe kandidate për deputete në listën e LV, Donika Gërvalla. Pjesë e këtij delegacioni ishin edhe kandidatët për deputetë: Hydajet Hyseni, Gani Krasniqi, Tinka Kurti, Liburn Aliu, Orges Tafilaj e Mirlinda Tishukaj.

Vrasja e Jusuf Gërvallës dhe Kadri Zekës ndodhi për ta ndaluar bashkimin politik të shqiptarëve. Sot, të bashkuar para përpjekjeve e sfidave të sotshme e të reja përkulemi ndaj veprave e sakrificave të tre dëshmorëve por edhe të Nënës Ajshe.

Jo vetëm ajo është ndikuar prej djemve të saj, por edhe ata ishin të ndikuar e frymëzuar prej nënës Ajshe. “Prandaj edhe ishin të tillë”, shpjegonte Donika Gërvalla. Cikli politik i tre dëshmorëve përmbyllet me nënën Ajshe.

Edhe oda e shtëpisë ka mbetur ashtu siç e mbante nëna Ajshe ku ka pritur vizitorë prej anekënd Kosovës. Rrethuar me fotografi, me tavolinën e punës së veprimtarit Jusuf Gërvalla e me shumë kujtime të freskëta edhe pas afër 4 dekadave. Frymëzimi nga ta do të jetojë edhe më gjatë. Përgjithmonë. 

17 janari është plagë e rëndë e shqiptarëve.
Bustet e të rënëve ftohen prej borës siç ishin ftohur zemrat e shqiptarëve kur kanë marrë vesh për vrasjet e tyre. Delegacioni i njëjtë bëri homazhe edhe para bustit të Kadri Zekës. I përjetshëm do të jetë kujtimi për këtë treshe që as vdekja s’mund ta ndajë. 

Në 20 vjetorin e vrasjes së vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës ndodhi edhe vrasja zyrtarit të LDK-së Smajl Hajdaraj. Në këtë ditë delagacioni i LV-së vizitoi familjen Hajdaraj në përkujtim të jetës dhe veprës së Hajdarajt.

Kontribo