Homazhe për veprimtarin Ali Lajçin!
Sot, në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, aty ku për disa legjislatura Ali Lajçi shërbeu si deputet, e në legjislaturën e fundit të tij edhe si deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Kryeministri i Republikës, njëherazi Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ministra, deputetë dhe aktivistë, bënë sot homazhe në kujtim dhe nderim të Ali Lajçit, anëtarit tonë, këtij veprimtari patriotik që për shumë vite i shërbeu idealeve të kombit tonë.
Ali Lajçi u lind me 3 janar të vitit 1955 në fshatin Malaj të Rugovës. Ai qysh prej rinisë së hershme është angazhuar politikisht duke qenë edhe një prej emrave që organizuan demonstratat studentore e popullore të vitit 1981, për çka ai u dënua nga regjimi i Jugosllavisë me 15 vite burgim. Ali Lajçi u lirua nga burgu në vitin 1991, por u arrestua sërish me 1993 për ripërfshirjen e tij në organizime të rezistencës së armatosur. Pas luftës në Kosovë, Ali Lajçi ishte Kryetar i Komunës së Pejës mes viteve 2001 – 2007. Pas kësaj ai u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës në disa legjislatura, ku ishte edhe një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008.
Ali Lajçi ka qenë anëtar dhe deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin e Kosovës.
Ali Lajçi do të kujtohet për veprimtarinë patriotike dhe angazhimin e tij të pandalshëm politik si nga ne që e njohëm dhe punuam me të, ashtu edhe nga historia moderne e Kosovës.
Ngushëllime familjes Lajçi, shokëve dhe bashkëpunëtorëve të Ali Lajçit për vdekjen e tij!
U kujtoftë gjithmonë!