Ideja dhe rrëfimi i VETËVENDOSJE!-s para studentëve evropianë
Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, ka mbajtur një ligjëratë para studentëve të universiteteve “EMA Venice” dhe atyre të “Vienna Master of Arts in Human Rights”, të cilët po qëndrojnë gjatë një seminari në Prishtinë. Në prezantimin e tij, Kurti ka folur mbi historikun e VETËVENDOSJE!-s dhe situatën politike e socio-ekonomike në Kosovë dhe në rajon.
“Ne mendojmë se shteti duhet të luajë rol në ekonomi, jo ta kontrollojë e centralizojë atë, por të jetë aktor dhe faktor, sepse nuk ka sundim të ligjit pa shtet të së drejtës dhe nuk ka progres shoqëror pa ekonomi të prodhimit vendor. Republika dhe socialdemokracia formojnë kombinimin që siguron edhe daljen nga kriza edhe ecjen përpara”, ka thënë Kurti.
Duke shpjeguar Alternativën Qeverisëse, Kurti tha se Lëvizja VETËVENDOSJE! angazhohet në veçanti për të varfrit dhe klasën e mesme sepse këta kanë nevojë më së shumti për institucionet që i mbrojnë e për politikën që i përfaqëson. Në vijim Kurti foli edhe mbi strategjinë e VETËVENDOSJE!-s e cila protestat në rrugë i ka bërë institucion demokratik, kurse brenda vetë institucioneve zyrtare e ka sjellë protestën demokratike.
Pas prezantimit të tij, studentët bënë pyetje të shumta për qëndrimin e Kurtit në burg dhe proceset gjyqësore kundër tij, njëherë nga Serbia e pastaj nga UNMIK-u dhe EULEX-i. pastaj për gjeopolitikën në Ballkan, për rolin e BE-së e NATO-s në Kosovë, për mënyrat e organizimit dhe aktivizimit të qytetarëve, e deri te takimet dhe bashkëpunimi i VETËVENDOSJE!-s me partitë e majta në BE.
14 janar 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!