29 08 2019

Inovacioni dhe teknologjia: Oferta e Qeverisë Kurti

Lëvizja VETËVENDOSJE! do të jetë mbështetje e jashtëzakonshme për të rinjtë krijues në biznes, teknologji dhe fusha të tjera.

Energjia, talenti dhe përkushtimi i të rinjve profesionistë dhe entuziastë në inovacion dhe teknologji është kontribuese në rritjen e produktivitetit dhe punësimit në vend, mirëpo kjo po ndodhë pa mbështetjen e shtetit.

Duke e ndjekur këtë zhvillim, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka përpunuar një sërë zgjidhjesh që do t’i bëjë të qëndrueshme sipërmarrjet e të rinjve dhe do ta hapin rrugën për më shumë nisma të tilla. Kryetari Albin Kurti prezantoi këto zgjidhje, në një takim me pjesëmarrjen e dhjetëra të rinjve e sipërmarrësve nga ky sektor, me moderimin e Hekuran Muratit nga Komiteti për Politika Financiare e Tregtare.

Masa e parë ka të bëjë me talentin. Lëvizja ka për synim ndryshimin e kurrikulave ekzistuese, harmonizimin dhe certifikimin e tyre, edhe në bashkëpunim me ofruesit privatë të kurseve dhe programeve të fushës së teknologjisë. Po ashtu, synohet edhe ndërtimi i programeve të veçanta për shkollimin e mesëm dhe të lartë për teknologji informative në programim, zhvillimi i web-it, dizajn grafik, media online etj., si dhe përfshirja e këtyre si lëndë zgjedhore nëpër shkollat e mesme dhe në veçanti në shkollat profesionale të teknikës.

Masa e dytë ka të bëjë me themelimin. Ata të rinj që kanë ide për të themeluar një start-up për së paku një vit do të kenë ndihmë ligjore në themelim, në përpilimin e statutit dhe në ndarjen e aksioneve përfshi edhe kontabilitet. Përveç kësaj, ata do të kenë edhe mbështetje me anë të ofrimit të kapitalit bërthamë (Seed Capital) ku do t’iu ofrohen mundësi të ndryshme financimi, qoftë si hua e garantuar nga shteti, qoftë si pjesëmarrje në ekuitet. Rëndësi të veçantë do t’i jepet edhe ndihmesës për të pasur qasje në fondet e Bashkimit Evropian që ndahen për këtë fushë. Infrastruktura nuk duhet të jetë më problem, do të krijohen qendra rajonale për zhvillimin e ideve. Një start-up me një ide të mirë, me mbështetjen e duhur në themelim, dhe me financimin e nevojshëm mund t’i japë Kosovës një produkt me të cilin mund të shënohet në hartën e inovacionit. Të gjithë e dimë ngjarjen e kompanisë ‘Skype’ që dy vite pas formimit u ble për 2.6 miliardë dollarë nga një kompani tjetër.

Masa e tretë ka të bëjë me tregun. Shumë produkte dhe shërbime sot tregtohen online më lehtë dhe më shpejtë se gjithçka më parë. Në Kosovë aktualisht mungon infrastruktura e nevojshme që mundëson një treg online në të cilin do të mund të zhvilloheshin kompanitë e sektorit të IT-së. Mungon infrastruktura e nevojshme ligjore dhe teknike për të kryer transaksionet online. Mungon legjislacioni për nënshkrimin digjital për pagesën e produkteve. Dhe përveç kësaj hapja e kontove ‘Merchant Accounts’ ende has në vështirësi sidomos në pranimin e parave nga jashtë. Lëvizja VETËVENDOSJE! do t’i largoj këto barriera, dhe do ta kemi edhe Switch Nacional të Electronic Financial Transactions (EFT) në Bankën Qendrore të Kosovës, dhe shërbimet e-Commerce do të jenë të lira dhe të shpejta.

Masa e katërt që e përmbushë ciklin e një ekosistemi për zhvillimin e ndërmarrjeve inovative kalon përmes asaj që quhet “Transaksioni i Fundit i Themeluesit të Ndërmarrjes”, pra, momenti kur themeluesi, pas maturimit të ndërmarrjes, e shet atë, me synimin për të ndërtuar e financuar një projekt të ri me një ide të re e më të anvancuar. Ta zëmë siç ka bërë Elon Musk, kur pas shitjes së aksioneve në kompaninë ‘Paypal’, paratë e shitjes i investoi në dy projekte tjera: ‘Tesla’ dhe ‘SpaceX’. Kompania e parë tani është prodhuesi më i madh i veturave elektrike, kurse e dyta dërgon njerëz në hapësirë. Paypalin e Elon Musk, e kishte blerë ‘eBay’. Por në Kosovë aktualisht nuk ka ndonjë kompani si ‘eBay’ që ka mjetet financiare për të siguruar një Exit (shitje) të suksesshme të një start-upi. Por deri sa të arrijmë aty, këtë funksion do ta kryej Fondi Sovran, i cili pas themelimit do të ketë edhe degën e Private Equity, e cila do të investojë në blerjen e pjesërishme apo të plotë të aksioneve të ndërmarrjeve të suksesshme me qëllim që ta përshpejtoj këtë cikël.

Pjesëmarrësit me komente dhe propozime konkrete u përfshinë në prezantimin e këtyre masave. Theksi u vu te sistemi arsimor dhe ndërlidhja e tij me fushën e teknologjisë përmes bursave, internshipeve dhe trajnimeve të specializuara. Si problem, përveç infrastrukturës, mjedisit për punë, u paraqit edhe mangësia e ligjeve si dhe mungesa e komunikimit institucional me ndërmarrësit e rinj. Të gjitha këto komente dhe propozime që u dhanë do të merren parasysh nga Lëvizja VETËVENDOSJE!.

Kontribo