KADRI VESELI TURPËROHET NGA HISTORIA KOMBËTARE
Pas orarit të punës, fshehurazi, Kadri Veseli mbuloi muralet me motive kombëtare që gjenden në muret e Kuvendit të Republikës, e të cilat u zbuluan nga deputetët të enjten. Kur të gjithë po festonin fitoren e madhe të Kombëtares dhe kualifikimin për në Kampionatin evropian, Veseli, sikur UNMIK-u më herët, i mbuloi muralet që shfaqin momentet më të rëndësishme kuvendore të historisë sonë, Kuvendin e Lezhës dhe Lidhjen e Prizrenit. Sikur UNMIK-u, për të mos e zemëruar Beogradin zyrtar.
Përmes këtij veprimi, Kadri Veseli, e shpërfaq ‘demokracinë’ e vërtetë në Kuvendin kryetar i të cilit u instalua: për ato murale asnjëherë nuk u pyetën deputetët, nëse duhet të mbulohen, madje as që u diskutua fare për to. Kokë më vete, larg syve të publikut, Veseli vendosi që Kuvendi i Republikës po u dashka të turpërohet nga historia e shqiptarëve. Prandaj Veseli, qartazi i turpëruar nga kjo histori, vendosi ta mbulojë atë.
Në kohën kur ‘Zajednica’ po e kërcënon Republikën, e Qeveria po rrënon integritetin e Kuvendit, Veseli po e uzurpon vendimmarrjen deri edhe te disejnimi estetik i hollit të Kuvendit. Natyrisht që vendimmarrja për procese shtetrrënuese, të cilat e përjashtojnë popullin nga politika, e shoqërinë nga mirëqenia, reduktohet vetëm në institucione, e brenda tyre në shumë pak njerëz. Kur projekti është antidemokratik, procedura nuk mund të jetë demokratike.
Kadri Veseli ka bërë çmos për ta përmirësuar imazhin e tij. Trashëgiminë e Shefit të ShIK-ut është munduar ta shpërlajë me paraqitjen e tij prej një Kryetari jashtëzakonisht të kujdesshëm të Kuvendit. Por ky është vetëm imazhi i Veselit. Veseli i vërtetë mbetet ai i ShIK-ut, Shefi i punëve të fshehta, ai i vendimeve dhe veprimeve sekrete.
Mbulimi i muraleve kombëtare në Kuvendin e Republikës së Kosovës është akt i papranueshëm nga Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe do të kundërshtohet me ngulm.