Kandidati për kryeministër të Kosovës, z.Albin Kurti dhe kandidatja për presidente, znj.Vjosa Osmani, përfunduan takimet konsultative me subjektet politike
Kandidati për kryeministër të Kosovës, z.Albin Kurti dhe kandidatja për presidente, znj.Vjosa Osmani, sot kanë përfunduar ciklin e takimeve me subjektet politike që kanë fituar ulëse në Legjislaturën VIII të Kuvendit të Kosovës.
Takimet kanë nisur në fillim të javës me kryetarë dhe përfaqësues të partive politike: PDK, LDK, AAK, KDTP, NDS, IRDK, VAKAT, PAI, SDU, LPRK, Lista Serbe, JGP dhe Romani Iniciativa.
Me të gjitha palët, takimet janë zhvilluar në frymë konstruktive. Përgjatë këtyre takimeve, z.Kurti dhe znj. Osmani i kanë informuar subjektet politike për përgatitjet dhe ecurinë e krijimit të institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit.
Në këtë kontekst, të dy kandidatët u kanë ofruar subjekteve politike bashkëpunim për çështje të interesit nacional.Ata kanë kërkuar konstruktivitet të subjekteve politike deri nëpërmjet prezencës në të tri seancat e zgjedhjes në të tri institucionet kryesore të shteti.
Në përmbyllje të takimeve, z.Kurti dhe znj.Osmani kanë shfaqur optimizmin që ky proces të përmbyllet me sukses dhe në përputhje me vullnetin qytetar të shprehur në zgjedhjet e 14 shkurtit.