21 09 2022

Kandidatja për kryetare të GVV, Albulena Haxhiu, shpalosë platformën e saj për mandatin 4 vjeçar

I nderuar Kryetar,

Të nderuar anëtarë të Kryesisë, Ministra, Deputetë

Të nderuar bashkëaktivistë,

E nderuar famijle Balaj, Xheladini, Dehari dhe Koskoviku,

Mirë se po takohemi dhe mirë se e gjejmë njëri tjetrin.

Rrugëtimi i grave në LV për barazi sociale ka një historik të gjatë dhe i jep kuptim më të thellë përpjekjes sonë për t’i parë kauzat e barazisë të bëhen realitet në shoqërinë tonë.

Vet themelimi i GVV (Gratë për VETËVENDOSJE!) është paramenduar si vazhdimësi e kësaj përpjekjeje të gjatë për të krijuar hapësirat e nevojshme që gratë dhe vajzat të jenë të përfaqësuara në të gjitha strukturat e Lëvizjes, e kauzat e tyre të bashkërendohen me veprime të qarta edhe në mandatet qeverisëse.

Mirëpo, ne sot nuk jemi të kënaqura vetëm me përfaqësimin si të tillë, por duhet të mbartim edhe krenari kur e kujtojmë nga kah ka ardhur ky përfaqësim – e ai është tejkalimi historik i kuotës edhe si përqindje, por edhe si mjet.

Ky rezultat është puna e mundi i grave dhe vajzave të LV ndër vite.

Është rezultat i atyre aktivisteve që kanë shkruar me sprej, kanë folur me megafon, kanë organizuar lagjen, konviktin, studentët, kanë shkruar komunikatën, kanë mbajtur qëndrim politik, i kanë drejtuar institucionet, janë arrestuar e burgosur disa herë, kanë denoncuar shovenizmin, kanë denoncuar aferat, i kanë kërkuar politikat barazimtare, i kanë kërkuar çerdhet, sigurinë e drejtësinë.

Aktivistet i kanë sjellë LV mendimin dhe aksionin.

Gruaja në LV e ka prodhuar ngjarjen politike dhe si e tillë ka qenë dhe është faktor i patejkalueshëm në vendimmarrje. 

Andaj na duhet feminizmi i VETËVENDOSJE! – s, një feminizëm social demokrat e progresiv, që nuk e sheh pushtetin si mjet për të shtypur, por si platformë për të çuar më tutje politikat e barazisë, me ndjeshmëri ndaj hierarkisë së klasave ekonomike në bashkëdyzim me ato gjinore.

Pra, nuk është vetëm një feminizëm për përfaqësim sipërfaqësor, por feminizëm për luftë të barazisë e drejtësisë – për instrumentalizim të pushtetit si vegël çlirimtare për të gjithë ato shtresa të shtypura e drobitura nga pushtetet e kaluara.

Përpjeka e grave për të drejta të barabarta përmban zjarrin dhe vrullin e LV.

Është thirrja jonë me shumë zëra, të fuqishëm dhe që mund të dridhen por që nuk ndalen.

Të nderuar të pranishëm,

Ne kemi trashëguar një histori përpjekjesh të grave të Kosovës: gratë në ilegale, gratë e Pajtimit të Gjaqeve, aktivistet e viteve të 90-a, gratë në UÇK-së, Gratë e Krushës, Thirrjet e Nënave, mbrojtëset e grave të dhunuara dhe aktivistet që e denoncojnë shtypjen e shfrytëzimin çdo ditë.

Nuk ka pajtim me dhunën. Për asnjërën nga ne. 

Për këto dhe nga këto është menduar GVV-ja, si strukturë gjithëpërfshirëse e cila do të veprojë t’i shtyjë përpara kauzat feministe që nga niveli i Pikës deri te ekzekutivi.

Prandaj, edhe kandidaturën time për të parën e GVV-së nuk e shoh të ndarë nga historia e aktivistes së Qendrës e të Pikës.

Puna e tyre në terren për mobilizim, organizim e artikulim e nxorën Lëvizjen të parën.

Në zgjedhjet e fundit mbi 50 përqind e votave për Lëvizjen erdhën nga gratë. Ky vrull i grave drejt LV, është padyshim përpjekje e aktivisteve dhe anëtareve tona.

Fitorja jonë së pari ju takon vajzave dhe grave.

Aktivistja politike e përbën pjesën qendrore të VETËVENDOSJES!, sepse ajo vazhdimisht i ka kujtuar edhe shoqërisë edhe organizatës sonë nevojën për liri e barazi EDHE gjinore.

GVV-ja si organizatë brenda Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ka ardhur si ndërhyrje e gjendjes aspak të kënaqshme.

Si LV nuk mund të flasim për ide të reja shoqërore pa e denoncuar patriarkatin si mendësi dhe sistemin si forcë shfrytëzuese të grave.

Këtë e kemi bërë sistematikisht. Këtë po përpiqemi ta bëjmë çdo ditë në qeveri. Këtë do ta bëjmë të organizuara në front të përbashkët si gra aktiviste.

Platforma ime si kryetare e GVV e parasheh punën konkrete të bazuar në tri shtylla kryesore:

E para është Emancipimi gjinor, ku përpos që e ndjekim vijën e deritashme të luftës kundër shfrytëzimit gjinor dhe klasor, ne i ndërtojmë organizmat përbrenda Lëvizjes të cilat kanë për synim ngritjen e vetëdijes feministe dhe mbështetjen e veprimit feminist jo të kufizuar vetëm në shpërfaqje teorike.

Kjo do të arrihet konkretisht përmes krijimit të hapësirës për edukim feminist (në formë të shkollave verore feministe të cilat i organizojmë në bashkërendim me Sekretariatin e Gruas Aktiviste dhe Sekretariatit për Emancipim Politik); të insistohet në përpjesëtim të barabartë të pjesëmarrjes së grave në të gjitha organet e LV-së; të implementohet motërzimi si princip i bashkëpunimit; të implementohet parimi i gjinorizimit në të gjitha programet, statutet, projektligjet dhe dokumentet e tjera me relevancë, duke u bashkërenduar me qeverinë.

Shtylla e dytë është puna për rritjen e PJESËMARRJE-s së AKTIVISTEVE në organizatë duke i zhvilluar parimet e ekuitetit gjinor (paanësisë dhe barazisë) me konsideratë të veçantë rrethanat vështirësuese për pjesëmarrje të grave në sferën publike si pasojë e kontekstit patriarkal.

Kështu, me drejtueset e GVV-së nëpër Qendra, të cilat synojmë të jenë të punësuara me orar të plotë në Qendra, ne do të hartojmë politika të qarta që e rrisin numrin e grave në LV, dhe të ofrojmë këtë mundësi edhe për ato gra që brenda kontekstit të tyre socio-ekonomik kanë qenë të shtypura e nuk kanë pasë qasje të lehtë për t’u kyçur në sferën publike.

Pjesëmarrja e aktivisteve gra do të mundësojë që të kemi ndikim edhe në hartimin e programit qeverisës me politika mbështetëse për vajzat dhe gratë.

Sipas statistikave të brendshme, anëtarësia jonë përbëhet përafërsisht 25% janë vajza dhe gra dhe 75% djem e burra.

Sipas kësaj mbështetja e madhe e vajzave dhe grave për VETËVENDOSJE!-n, nuk reflektohet në anëtarësinë tonë.

Kjo gjendje mund të ndryshojë nëse ne punojmë për të krijuar një ambient të sigurt të veprimit politik për gratë.

Koncepti i krijimit të ambientit të sigurt për veprim politik më hap shteg për të prezantuar shtyllën e tretë, gjegjësisht adresimi sjelljes dhe gjuhës seksiste. Nëse si shtyllë të parë e kemi vendosur emancipimin gjinor, nuk do të thotë se do të presim si spektatore derisa para syve tanë të ushtrohet gjuha e sjellja seksiste e mizogjene, sepse konsiderojmë që për këtë duhet të ketë sanskionim social meritor.

Ne do të punojmë që asnjë rast i seksizmit mos të mbetet i pavërejtshëm e i pandëshkuar.

Teoria nuk na duhet pa praktiken, e as politika feministe nuk artikulohet pa i adresuar përjetimet mizogjene e seksiste të grave, pra politika është personale, e personalja është politike.

Përmes GVV-së, synojmë të themelojmë hapësira ku gratë dhe vajzat do të mund të denoncojnë padrejtësitë e kësaj natyre në mënyrë të lirshme, të cilat pastaj do t’i dërgohen komisionit disiplinor. Nuk e pranojmë më gjuhën fyese, linçuese, përjashtuese e moralizimin e patriarkatit, dhe e luftojmë çdo gjuhë e sjellje që shkon kundër parimeve të barazisë sociale e gjinore.

Të nderuar të pranishëm,

Këto dhe shumë punë të tjera jam e bindur që do të arrihen me punën e vajzave dhe grave të LV por edhe shumë vajzave dhe grave që do të na bashkohen.

Ajo çfarë duhet është që të jemi bashkë, për njëra tjetrën dhe për vajzat e gratë e këtij vendi.

Me besën e votës suaj, zotohem që do të luftoj për këto parime pa kursim.

Ju faleminderit shumë!

Kontribo