Kastriot: Duam ndryshime prandaj e duam Lëvizjen
Nga Mitrovica vazhduam në Plemetin të Kastriotit fushatën e Lëvizjes. Fushatën e kemi kthyer në stuhi tubimesh. Plemetini i Kastriotit nën mjegullën ndotëse plot pluhur e zhurmë nga KEK-ut, me varfërinë e madhe e papunësinë e lartë, sidomos mes shqiptarëve atypari, është i bindur se vetëm ndryshimet e mëdha na duhen. Asgjë më pak se transformimi i Kosovës, jo thjeshtë reformimi i saj, që ajri dhe mjedisi në Plemetin e në mbarë Kosovën të jetën ashtu siç na i do trupi e zemra.
Në një natë të ndriçuar nga qytetarë pjesmarrës shihej qartë bindja se Lëvizja është i vetmi subjekt i ndryshimit.
Kandidati për deputet Aziz Bici kujtoi se të gjitha subjektet e tjera kanë mashtruar në fushata e na kanë zhgënjyer pas saj duke mos bërë asnjë dallim nga qeverisja para tyre. Ndërsa kandidati Sulejman Çerkezi bëri thirrje që qeveria Kurti të votohet si qeveria e parë shërbëtore e këtij populli dhe se duhet të bëhemi bashkë duke thënë se, “kjo është detyra jonë dhe detyrat tona nuk i kryen askush tjetër përpos nesh”.
Nuk luftohet kapja e shtetit me kryeprokuror pa kryeaktakuza, shpjegoi Kryeministri në ardhje Kurti, “këta mbjellin korrupsion e ne korrim mjerim”.
Në një shtet të delegjitimuar nga kapja e tij dhe korrupsioni i lartë duhet një qeveri me guximin për të bërë vetting në gjyqësor e prokurori, polici e inteligjencë, duhet një qeveri me guxim për të zhvendosur investimet nga asfalti në shkolla e spitale, duhet një qeveri që i ngjan punëtorëve e fermerëve të këtij vendi dhe jo oligarkëve të tij.
Sa për arsimin, ai duhet lidhur me ekonominë dhe me fokus të veçantë shkollat profesionale, bëri me dije Kryeministri në ardhje Kurti duke shtuar, “në këtë mënyrë as nuk do të kemi analfabet me diplomë e në të njëjtën kohë kushdo që ka diplomë do të gjej punë”.
Kastrioti, Kosova dhe mërgata jonë do të lëvizin masivisht drejt qendrave të votimit me 6 tetor. Ndryshimi me qeverisjen Kurti do të jetë po aq i madh sa pjesmarrja në votime. Barazia, drejtësia e zhvillimi do të jetë po aq sa ne i dëshirojmë. Erdhi dita që Kosova të na duket ashtu siç jemi e duam të jemi edhe vetë.