19 12 2018

Diskutim mbi draft kodin civil të Kosovës dhe Shqipërisë

Në mbrëmjen e sotme studiues e studentë morën pjesë në ligjëratën dhe diskutimin mbi ngjashmëritë dhe dallimet midis draft kodit civil të Kosovës dhe kodit civil të Shqipërisë, të mbajtur nga Ass.Prof. Majlinda Belegu të organizuar nga Komiteti për Drejtësi në VETËVENDOSJE!.

Profesoreshë Majlinda është gruaja e parë që ka doktoratura në të drejtë civile të Republikës së Shqipërisë nga civilistët e Kosovës. Në këtë diskutim u theksua nevoja për bashkërendimin e rregullimit në sferën e të drejtës civile. Siç dihet marrëdhëniet shoqërore rregullohen e normohen me kodet civile. Në këtë dimension populli dhe shoqëritë tona kanë nevojë imediate që të kapërcejnë dyfishimet e ndarjet në kodet civile. Nuk mund të pretendojmë bashkime doganore apo marrëveshje të sferës civile nëse nuk përafrojmë pikërisht praktikat civile dhe vet kodet.

Kryetarja e Komisionit Albulena Haxhiu paralajmëroi ardhjen në kuvend të rishikimit të kodit civil të Kosovës e me këtë rast grupi ynë do të paraqesë këtë nevojë imediate shoqërore. Njëjtë si kjo çështje kanë nevojë të trajtohen çështjet e trashëgimisë, familjes dhe detyrimeve. Në thelb një kod civil mund ta mundësojë ose pengojë drejtësinë sociale. E drejta në formacionet republikane duhet së paku të ekzistojë si parim e normin që të hapë rrugë për betejën e pafundme midis palëve e grupeve shoqërore për më shumë drejtësi e të drejtë të fituara e siguruara.

Drejtësia shoqërore në Kosovë e Shqipëri nga kodi tek fakticiteti kanë padyshim tepër shumë zona për t’u ndërruar apo avancuar.

Kontribo