30 09 2015

KOMUNA E MALISHEVËS KUNDËR “ZAJEDNICËS”

Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Malishevë sot në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Malishevës, ka propozuar një deklaratë e cila kundërshton marrëveshjen e arritur në Bruksel ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe atij të Serbisë, në theks të veçantë krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe/“Zajednicës”.

Deklarata u mbështet nga anëtarët e subjekteve tjera politike Nisma dhe AAK, derisa u kundërshtua nga LDK-ja dhe PDK-ja, të cilat në momentin e votimit të saj lëshuan edhe sallën, duke treguar se janë për krijimin e Zajednicës, dhe i qëndrojnë besnik shefave të tyre që këto marrëveshje i arritën në dëm të vendit.

D E K L A R A T Ë

1. I ashtuquajturi Asociacioni/“Zajednica” i/e komunave me shumicë serbe shprehë themelimin e një etniteti juridik të themeluar mbi bazën e pastrimit etnik të shqiptarëve.

2. Themelimi i një Asociacioni të tillë, krahas dëmit juridiko-administrativ dhe organizimit shtetëror që i bënë Republikës së Kosovës si shtet me karakter unitar të përkufizuar me Kushtetutë, juridizon formalizimin e një strukture juridike me tipare etnike. Me këtë karakter tani më të përkufizuar me Marrëveshjen e Brukselit dhe me marrëveshjen e fundit të datës 25 gusht 2015, Republika e Kosovës po bëhet shtet diskriminues ndaj shumicës shqiptare, por edhe ndaj qytetarëve të tjerë që janë shtetas të Republikës së Kosovës.

3. Themelimi i këtij Asociacioni/Zajednicë me pushtet të ndërmjetëm e tejkalon çdo qëllim të organizimit të pushtetit lokal si organizim themelor administrativ. Qëllimi i këtij etniteti legal nuk është asgjë tjetër veçse një strukturë formale me baza etnike që përjashton të gjithë qytetarët të tjerë që nuk janë të përkatësisë kombëtare serbe.

4. E themeluar me përmbajtje tërësisht në kundërshtim me Kushtetutën e Republikë së Kosovës, legjislacionin pozitiv nga fusha e organizimit të pushtetit lokal dhe atij përkitazi me financat publike të pushtetit lokal, Kartës Evropiane Për Vetëqeverisje Lokale (Strasburg, 15 tetor 1985).

5. Kuvendi i Komunës së Malishevës nxjerrë qëndrim për arsyet e mësipërme:

5.1 Kuvendi i Komunës së Malishevës nuk do të njoh një formacion juridik i quajtur Asociacion/ “Zajednicë” e Komunave me Shumicë Serbe, duke përfshirë vendimet që do të merren nga organet e këtij konstruksioni formal kundërkushtetues;

5.2 Kuvendi i Komunës së Malishevës zotohet se nuk do të mbajë asnjë raport me strukturat e këtij organizimi kriminal dhe me prapavijë të spastrimit etnik;

5.3 Kuvendi i Komunës së Malishevës i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë dorë nga cilido veprim i cili do t’i kontribuojë themelimit të Asociacionit/“Zajednicës”;

5.4 Kjo Rezolutë do të hyjë në fuqi ditën e miratimit të saj nga Kuvendi i Komunës së Malishevës.

Kontribo