04 05 2014

Komunikimi

Poqese shfletojmë fjalorin, fjala komunikim që rrjedh nga gjuha latine, nënkupton shkëmbim mendimesh me dikë, bisedim, marrëveshje me dikë. Natyrisht, në këtë rast nevojiten të përfshihen palët të cilat kanë interesa të caktuara për të arritur një marrëveshje.

Kur bëhet fjalë për komunikimin në mes të subjekteve politike, praktika e komunikimit mes tyre duhet të jetë përmes shefave të grupeve parlamentare gjatë kohës sa janë në Kuvend, apo përmes kërkesave zyrtare në adresë të subjekteve. Mirëpo, shumica e partive politike nuk praktitojnë një formë të tillë. Ashtu siç ishte dikur zakoni i këtij vendi,  që bajraktarët merrnin vendime nëpër oda, edhe sot vazhdon. Shumicën e liderëve të partive, i kemi parë shumë herë që të anashkalojnë institucionet dhe vendimet e rëndësishme t’i marrin diku tjetër dhe njëkohësisht të keqinformojnë publikun. Tashmë me avansimin e teknologjisë, jemi mësuar që udhëheqësit qeveritar por edhe të partive, të përdorin Facebook-un. Mirëpo, shfrytëzimi i kësaj hapësire për të shprehur propozime opozitës, të cilët nuk i ka as miq në Facebook, nuk është serioz, për të mos thënë se është  qesharak.

Mik pas miku, më rastisi të shoh postimin e kryetarit të LDK-së Isa Mustafës në Facebook, ku kritikon Qeverinë për krizën politike dhe institucionale në Kosovë. Në fund, iu bën thirrje partive opozitare dhe koalicionit qevererisës që të bashkohen për ta shpërbërë Kuvendin. Pra, Isa Mustafa kërkon ta ndëshkojë Kuvendin, për punën e keqe të Qeverisë. Adresimi i problemit dhe propozimi për zgjidhje, kanë një problem të thellë logjik. Për sa kohë Isa Mustafa konstaton se Qeveria është fajtore për situatën e krijuar, pse kërkon shpërbërjen e Kuvendit? Mbase edhe kjo është pjesë e marrëveshjes, që mos t’ia jap ndëshkimin e merituar PDK-së, të cilën planifikon ta ketë partner të ardhshëm të koalicionit. Prandaj, as neve dhe as opinionit le të mos përpiqen të na shesin dushk për gogla. Po të ishte LDK e interesuar që ta ndal keqqeverisjen dhe të mbronte interesat e vendit, do të pranonte formimin e bllokut opozitar të propozuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! qysh vitin e kaluar.

Puna e mbrapshtë e kësaj Qeverie është parë qysh në ditët e para të qeverisjes së saj dhe kriza e parë institucionale është parë me zgjedhjen e presidentit, me ç’rast u anashkaluan institucionet dhe u bë një marrëveshje ‘bajraktarësh’ në mes të liderëve të PDK, LDK dhe AAK, për ta tejkaluar ngërçin e parë institucional. Kësi lloj marrëveshjesh u bënë sa herë që kishin nevojë të kontrabandonin në Kuvend ndonjë vendim që është në dëm të interesave të qytetarëve dhe të vendit. I kemi parë të qeverisin e të bashkëqeverisin, por ndryshimi asnjëherë nuk ka ndodhur. Reciklimi i keqqeverisjes edhe për katër vite, do të jetë fatkeqësia më e madhe e këtij vendi.

Kontribo