19 02 2017

KONGRESMENËT AMERIKANË TAKOJNË DEPUTETËT E LËVIZJES VETËVENDOSJE!

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymeri dhe deputetja Puhie Demaku, së bashku edhe me deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në dy takime të ndara në ambienetet e Kuvendit, takuan delegacionin e Komisionit për Partneritet Demokratik të Kongresit të SHBA-së, të udhëhequr nga kongresmeni Peter Roskam, së bashku me kongresmenët David Price, Gerald E. Connolly, Adrian Smith dhe Gwen Moore.

Gjatë takimit Kryetari Ymeri theksoi rëndësinë e madhe që Kuvendi i Kosovës duhet ta ketë në raport me Qeverinë përmes kontrollit parlamentar. Ai vazhdoi duke thënë se Kuvendi është injoruar nga qeveria në raport me bisedimet me Serbinë, dhe për këtë arsye Kuvendi nuk ka arritur ta realizojë funksionin e vet që e ka të garantuar me legjislacionin vendas në fuqi.

Më tej, me interesimin e kongresmenëve, Visar Ymeri dhe Puhie Demaku e njoftuan delegacionin në lidhje me situtatën politike dhe me qëndrimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për dy proceset tejet të dëmshme: Demarkacionin dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe – “Zajednicën”. Deputetët nga grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! treguan për dëmet dhe rreziqet që i kanosen shtetit të Kosovës nga Demarkacioni dhe “Zajednica”, të cilat do të mund ta çonin vendin dhe rajonin drejt një situate të pakënaqësisë që do të sillte një paqe të paqëndrueshme. Në anën tjetër, ata folën edhe për domosdoshmërinë e ndërmarrjes së hapave drejt sovranizimit dhe zhvillimit ekonomik të shtetit të Kosovës, dhe rëndësinë që ka partneriteti me ShBA-në në këtë drejtim.

Kongresmenëve i’u prezentuan më tutje pesë hapat e duhur për demarkimin e vijës kufitare me Malin e Zi, sipas propozimit të bërë nga Lëvizja VETËVENDOSJE! në shtatorin e vitit të kaluar. Në këtë propozim përshihet rishqyrtimi në themel i marrëveshjes për Demarkacionin, themelimi i një komision gjithëpartiak e mbipartiak që do të trajtonte modalitetet juridike të rishikimit, udhëzime për institucionet kompetente të Kosovës, një Komision Hetimor për Marrëveshjen e 26 gushtit, kërkesë zyrtare nga Kryeministri i Republikës së Kosovës drejtuar homologut të tij në Mal të Zi për rinegociimin nën dritën e fakteve të reja që shpreh edhe zotimin për marrëdhënie të mira mes dy vendeve, si dhe duke i kërkuar zyrtarisht Bashkimit Evropian që kjo çështje të mos kthehet në pengesë për Republikën e Kosovës në procesin e integrimeve evropiane.

Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!
19 shkurt 2017

Kontribo