03 05 2019

Korrupsioni në prokurim e tenderë, pengesë për integrimin, por burim pasurimi për qeveritarët

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media rreth korrupsionit të lartë dhe sistemik në prokurimin publik në Kosovë ku folën nënkryetari i Lëvizjes, Besnik Bislimi dhe eksperti i sapo anëtarësuar në Lëvizje, Jeton Zulfaj.

Korrupsioni në vend është bërë barrierë për proceset integruese të vendit, liberalizimin e vizave, rritjen ekonomike, zvogëlimin e pabarazisë dhe forcimin e kapaciteteve të adminsitratës publike. Krijimi i koalicionit PAN me bashkangjitjen e AKR-së kanë qenë shenjë ogurzezë se apetitet për korrupsion do të shtohen.

“Tani kemi pasurim të shpejtë përmes metodave korruptive si stërngarkimi i administratës publike me punësime familjare, falje e borxheve, rritje arbitrare e pagave, ndryshime të ligjeve për të privilegjuar klientelën politike dhe shumë e shumë të tjera”, denoncoi nënkryetari Bislimi.

Ndërkohë që kjo qeveri tenton korrupsionin ta trajtojë si kulturë dhe rezistencën qytetare ndaj tij si të pashpresë, Besnik Bislimi theksoi se Lëvizja e ka për mision të bindë se, “luftimi i korrupsionit është i mundur dhe nuk ka asnjë alternativë tjetër”.

Më tutje, Jeton Zulfaj tregoi me statistika gjendjen e rëndë të krijuar nga korrupsioni në prokurim publik. Kjo është mundësuar për shkak të numrit të madh të autoriteteve kontraktuese, planifikimit të dobët të nevojave buxhetore, menaxhimit të dobët të kontratave dhe mungesës së transparencës.

Në vitin e kaluar më shumë se 1/4 e buxhetit ka kaluar përmes prokurimit publik me mbi 35% rritje të volumit dhe vlerës së kontratave krahasuar me vitin 2017. Rritjen më të madhe e ka Ministria e Infrastrukturës me 1/5 e të gjithë vlerës së prokurimit, një rritje kjo prej gati 500%, kurse komuna e Deçanit ka shtuar për 9 fish vlerën e prokurimeve. Numri më i madh i ankesave dorëzuar për parregullsi në procedura prokurimi është pikërisht për Ministrinë e Infrastrukturës, 70 sosh. Kjo ministri prin me numrin e kontratave të lidhura fshehurazi, që ndryshe njihet si procedure e negociuar, pa publikim të kontratës. Ka dhjetra aneks kontrata për punë të papërfunduara në kohë apo për shpenzime shtesë që shkojnë deri në 100 milion euro dhe ka kompani të cilat janë të lidhura me pushtetin të cilat po bën monopole në fushën ku operojnë.

Po ashtu, gjatë vitit 2018 është dyfishuar numri i kontratave me vlerë minimale në mbi 4 mijë, për më shumë se 4 milion euro për shërbime dhe mallra të cilat duhet të jenë subjekt i hetimit të prokurorisë, por edhe i monitorimit nga KRPP dhe agjensia antikorrupsion, sepse në këtë kategori janë blerë ora dore, kostume dhe veshmbathje pa arsyetim dhe pa adresë me taksat e qytetarëve.

Afër 100% e tenderëve kanë kaluar përmes cmimit më të ulët, kriter ky i kritikuar vazhdimisht nga Bashkimi Evropian sepse lë hapsirë për korrupsion para dhënies së tenderit dhe pas tij për shkak të ritenderimeve nga cilësia e dobët e punimeve fillestare.

Ndërsa masat që do të duhej të merreshin për zgjidhjen e kësaj situate Jetoni i listoi duke thënë se, “duhet një reformë e thellë e cila prek edhe agjensinë për regjistrimin e bizneseve. Kemi tepër pak njohuri se kush qëndron prapa bizneseve që fitojnë tenderët. ARBK duhet të bëjë transparente përfituesit përfundimtar të kompanive, menaxhmentin e kompanive dhe aktet ligjore me ndryshimet e tyre. Kjo është kërkesë edhe e Komisionit Evropian. Kompanitë që duan të bëjnë biznes me shtetin duhet të i nënshtrohen një standardi më të lartë të transparencës. KRPP duhet të përjashtojë nga prokurimi kompanitë që operojnë në zonat pa taksa (tax heavens) dhe të bëjë transparente të gjitha kontratat, urdhërpagesat dhe faturat që qarkullojnë përmes prokurimit publik. Kjo mund të arrihet shumë lehtë nëse ministria e financave e hapë thesarin për publikun. Thesari mbushet me djersën e popullit, por populli nuk e din se si shpenzohet paratë e tij. Thesari mund dhe duhet të lidhet direkt me modulin për menaxhim të kontratës në KRPP duke treguar se ku shkon secili cent i qytetarëve. Agjensia kundër korrupsionit duhet të zgjerojë listen e zyrtarëve publik të cilët deklarojnë pasurinë duke përfshirë të gjithë zyrtarët e prokurimit. Ka vite të tëra që Komisioni Evropian kërkon hetimin e pasurisë së pashpjegueshme të zyrtarëve të lartë shtetëror”.

Kjo qeveri nuk është e interesuar ta zbardhë këtë gjendje sepse prek direkt interesat e bizneseve me të cilat është e lidhur. Ndërsa Lëvizja as nuk është e kapur me dhe nga bizneset, as nuk i mungon ekspertiza dhe as nuk i mungon guximi për ta luftuar korrupsionin brenda dhe rreth institucioneve shtetërore.

Kontribo