Kriza e brendshme e PDK-së nuk mund të transferohet në Kuvend
Sot u tentua sërish që kriza e brendshme e Partisë Demokratike të transferohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës
Përfaqësuesit e tij e shpërdorën ‘takimin konsultativ’ në mbajtjen e të cilit insistuan vet. Ata pa asnjë arsye të qëndrueshme nuk pranuan kërkesën e Kryesuesit të Kuvendit të Republikës, deputetit Adem Mikullovci, për të marrë pjesë në seancën e rregullt të caktuar për nesër. Kësisoj, sërish shkelën procedurat parlamentare dhe kushtetuese dhe vazhduan bllokimin e themelimit të institucioneve.
Sot, koalicioni PAN shtroi sërish një kërkesë absurde por të kuptueshme duke ditur gjendjen e tyre. Ata, veçanërisht PDK kërkuan që me “konsensus” t’ua bëjmë ne shumicën të cilën as e morën nga qytetarët me 11 qershor as nuk e arritën me ndonjë partneritet politik më pas.
Përmes “takimeve konsultative” si ky sot, PAN po insiston në emërimin arbitrar e jo në përzgjedhje demokratike.
Bllokimi i procesit parlamentar është taktikë, kurse kriza politike si strategji e koordinuar e koalicionit PAN është vetëm nevojë e drejtuesve të PDK-së.
Sot, qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim ndodhen në situatë shantazhi të cilën, nuk ua kanë për borxh sidomos PDK-së që për dhjetë vite është në pushtet.
Veprimet e fundit të koalicionit të PDK-së konfirmojnë sheshazi atë që e dimë të gjithë e që u përmend dje edhe nga znj. Angelika Viets, Ambasadorja e Gjermanisë – ‘Shumë kanë frikë edhe nga ndjekja penale nëse nuk janë në pushtet’. Ata pra, janë të interesuar që të jenë pushteti kështu e garantojnë sigurinë e vet.
Ne po përcjellim me shqetësim lojën e rrezikshme të PAN-it, tërheqim vërejtjen për dëmet që po i shkaktohen qytetarëve dhe Republikës. Pajtohet me brengat e përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare ndaj pengmarrjes së institucionit të Kuvendit nga ana e këtij koalicioni, të udhëhequr nga PDK.
Lëvizja VETËVENDOSJE! thërret të gjithë deputetët e Kuvendit që të mblidhen nesër për vazhdimin e seancës konstituive. Prania jonë e rregullt në sallën e Kuvendit mbetet dëshmia më e fuqishme e përgjegjësisë ndaj qytetarit dhe Republikës. Bojkoti i PAN-it është sulm ndaj shtetit.