Kryeministri Kurti: Mërgata, faktor kyç për zhvillimin e Kosovës
Takim madhështor dhe atmosferë kombëtare e plotë atdhedashuri, takimi i Kryeministrit Albin Kurti me bashkatdhetarët në Mynih.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vlerësoi rolin e rëndësishëm të diasporës në zhvillimin dhe çlirimin e Kosovës. Duke njohur kontributin e mërgatës, kryeministri Kurti ftoi bashkatdhetarët të kthehen dhe të investojnë në atdhe ku edhe do të mund të përfitojnë ekonomikisht po edhe do ta fuqizonin tutje vendin.
Kryeministri Kurti foli për arritjet e qeverisë në tre vitet e fundit, rritjen e vendeve të punës nga 350 mijë në 425 mijë. Rritjen e Bruto Produktit Vendor për 33% dhe buxhetin shtetëror për 35%. Përmirësimet në sistemin shëndetësor si dhe përparimet që janë bërë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Në përmbyllje, kryeministri theksoi rëndësinë jetike të pjesëmarrjes së diasporës në proceset demokratike, duke kujtuar lehtësimin e procesit të votimit dhe duke ftuar të gjithë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës për të kontribuar në një të ardhme edhe më të ndritur për Kosovën.