24 04 2019

Kryeprokurori vallëzon tango me pushtetin

Ardhja e Aleksandër Lumezit në krye të prokurorisë paska qenë për ta centralizuar dhe monopolizuar gjithë praktikën e hetimit të korrupsionit të profilit të lartë, tha Glauk Konjfuca, shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes, në konferencën e sotshme për media ku u fol edhe për protestën e së premtes.

Aleksandër Lumezi ka krijuar një komision i cili brenda pesë ditëve duhet t’i raportojë atij për secilin rast të profilit të lartë publik që është nën hetim për korrupsion, tha ai, duke përmendur 70 rastet e zyrtarëve të lartë publik, ndaj të cilëve në kohën e Lumezit, ose janë braktisur aktakuzat, ose kanë pushuar hetimet ose dënimi nuk ka qenë efektiv.

Konjufca tha se shpjegimi i deritashëm politik i kapjes së drejtësisë duhet të riformulohet. “Kjo nuk është kapje, kapja është e njëanshme kurse ky është vallëzim tango ku siç dihet nevojiten dy palë. Njëra palë në tango është Lumezi i cili po vallëzon për mrekulli me pushtetin dhe kjo është e dyanshme, e vullnetshme, dhe për t’u rregulluar kjo gjë, duhet vullnet politik.” tha ai duke aluduar te zgjedhjet e reja që i jepin një mundësi të re qytetarëve.

Ndërkaq, anëtarja e kryesisë dhe deputetja e Lëvizjes, Albulena Haxhiu përmendi se si në pozitën e kryeprokurorit Lumezi erdhi me dy premtime publike. Me premtimin që do të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin (gjë që nuk ndodhi asnjëherë) dhe me premtimin për hetimin e krimeve të luftës (që poashtu nuk ndodhi asnjëherë).

“Në këto 4 vite, gjatë kohës sa Lumezi ishte në krye të prokurorisë, mund të themi me bindje e përgjegjësi që skandalet e korrupsionit në nivelet e larta vetëm sa janë rritur dhe në anën tjetër nuk ka pasur veprime konkrete në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit” tha ajo.

Ajo po ashtu përmendi rastet më flagrante të krimit dhe korrupsionit për të cilat kërkoi përgjigje nga kryeprokurori: vendimi për rritjen e pagës nga Qeveria, favorizimet e njerëzve të kryeministrit, 53 milionë eurot për Bechtel-Enkan, kontrata e dëmshme e Contour-Global, keqpërdorimet me subvencione në bujqësi, shpenzimet e parasë publike për librin personal të Hashim Thaccit, vjedhja e qytetarëve nga ZRRE me fatura të rrymës dhe shumë raste të tjera.

Sipas organizatave që merren me monitorimin e sistemit të drejtësisë, del se mbi 60% e rasteve të profileve të larta, prokuroria ose i hedh poshtë kallëzimet penale, ose i pushon hetimet tha ajo duke shtuar se prokuroria duket e pafuqishme përballë kriminelëve e të korruptuarve në këtë vend.

Ky prokuror që nuk vepron po i kushton shumë Republikës tonë. Nuk mund të presim edhe 3 vite të tjera që Lumezi ta dëshmoj veten.

Andaj, sa nuk është bërë vonë, të mblidhemi e të angazhohemi kundër PANhajnisë dhe kundër atyre që nuk po verpojnë ndaj kriminelëve dhe të korruptuarve” porositi Haxhiu duke ftuar qytetarët që të premten e 26 prillit, 5 minuta në 12 të marrin pjesë në protestën që do zhvillohet para zyrës së kryeprokurorit.

Kontribo