18 10 2021

Kryetari Albin Kurti mban konferencë për media

Fjala e plotë e Kryeministrit dhe njëherit Kryetarit të LV-së, Albin Kurti:

Dje u mbajtën zgjedhjet lokale nëpër komunat e Kosovës. Ato ishin të lira, demokratike dhe fer, pa ndonjë incident të theksuar. Megjithatë, të gjitha ankesat do të trajtohen nga organet përkatëse shtetërore.

Si Kryeministër i Republikës së Kosovës jam fort krenar që kishim miq nga Bashkimi Evropian të cilët vëzhguan edhe demokracinë tonë e cila mund të shërbejë si shembull për vendet e rajonit dhe jo vetëm. Ata panë që përveç xhudos, filmit dhe programit të vaksinimit, Kosova shkëlqen edhe me organizimin e procesit zgjedhor.

Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! jam shumë i kënaqur që të shohë kaq shumë kandidatë tanë në balotazh. Njësoj siç jam i kënaqur me nivelin e lartë të besimit dhënë asamblistëve tanë gjithandej Kosovës. Ky është një shans që të vazhdojmë të flasim e diskutojmë me qytetarët e Kosovës se si t’i mbrojmë e avancojmë të arriturat e këtij gjysëm viti të qeverisjes së mirë, mbi luftën kundër korrupsionit e për sundim të ligjit, dhe se si të zgjerojmë mundësitë dhe shtojmë kujdesin për të gjithë.   

Ndryshimi real në nivelin qytetar është shumë më shumë se fjalë: do të thotë ujë më shumë e më të pastër, ajër më i mirë e i shëndetshëm, menaxhim efikas i mbeturinave, kanalizime moderne të ujërave të zeza.  

Ndryshimi i bërë realitet në rrafshin qytetar nuk është vetëm premtime të mëdha për probleme të vjetra si p.sh. trafiku i dendur, por nënkupton plane aktuale që funksionojnë brenda mundësive tona.  

Jam i etur të punoj e të bashkëpunoj me secilën komunë që të siguroj se vlerat tona të përbashkëta ta arrijnë çdo lagje e secilën shtëpi aty në mënyrë domethënëse. Do të qëndroj pranë dhe i gatshëm të punoj me secilin kryetar komune me të cilin ndajmë vlerat demokratike dhe që është i gatshëm të bëjë punën e vështirë të reformave të thella.      

Nuk e kemi luksin për asgjë më pak.

Urime të gjithë kandidatëve dhe mund t’ju them qysh tash se kjo është një festë e madhe e demokracisë si zgjedhje dhe e politikës si shërbim.   

Po ashtu më duhet t’ju them që kandidatët e VETËVENDOSJE!-s do të jenë gjithandej duke u angazhuar për secilën votë. 

Nuk e kemi luksin për asgjë më pak.

Ju falemnderit.

Kontribo