Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti mori pjesë sot në tryezën “Integrim apo gjithëpërfshirje?!” organizuar nga Partia Egjiptiane – IRDK, me rastin e Ditës së Egjiptianëve të Ballkanit.
Në fjalën e tij hyrëse, Kryetari Kurti tha se problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës pësohen të përshkallëzuara nga ata që janë të varfër dhe rëndojnë edhe më shumë mbi komunitetet jo shumicë, dhe në këtë rast edhe mbi atë egjiptian. Problemet e përditshme duhet të na bashkojnë dhe jo të na ndajnë, sepse fundja askush për nga natyra nuk është përcaktuar të jetë fatalisht i varfër, por bëhet i tillë për shkak se dikush tjetër është pasuruar. Askush nuk ka zgjedhur të lind grua apo burrë, shqiptar apo diçka tjetër, në Kosovë apo gjetiu, prandaj duhet që bashkarisht të kërkojmë zgjidhje.
Kurti foli edhe për qeverisjen e mirë të VETËVENDOSJE!-s, që i ka ndarë 593 bursa për fëmijët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian. U përmend Pakoja Emergjente, ku 2 milionë euro u ndanë për komunitetet jo shumicë, dhe Pakoja e Rimëkëmbjes që parashihte punën sezonale ku paga e fituar do të shtohej mbi asistencën sociale.
“Në qeverisjen tonë, qeverisjen më të mirë që kishte vendi, për aq sa patëm mundësi u fokusuam në ndihmesë konkrete për komunitetet pakicë në vend. Përderisa shumica e fëmijëve egjiptian, ndonëse vijojnë mësimet në gjuhën shqipe ata kanë tendenca për ta lënë shkollimin më herët për këto arsye: Statusi i ulët socio-ekonomik, mungesa e shkollave të cilësisë së lartë, infrastruktura e dobët arsimore dhe herë pas here mungesa e transportit. Kësisoj, Qeveria jonë mori vendim që të ndajë 593 bursa për fëmijët e komunitetit rom, ashkali e egjiptian. Nuk është e mjaftueshme, por duhej të fillonim nga diku.”
Ai bëri thirrje që komunitetet jo shumicë, në këtë rast ai egjiptian, të organizohet e ta imponojë vetën sa më shumë në jetën publike e politike, si duke shtruar kërkesa ashtu edhe duke propozuar zgjidhje e duke treguar vendosmëri për t’i zgjidhur problemet me të cilat ballafaqohet.
Koha e qeverive që varfërojnë popullin dhe jo vetëm komunitete të caktuara po ikën. Kanë provuar të ndërtojnë dinasti prej kartoni, por ja që rrebeshi i ndryshimit po ua rrëzon ato, tha ai në fund të fjalës së tij.