Kryetari i Mitrovicës dhe qindra qytetarë i bashkohen Lëvizjes
Në një tubim madhështor që u mbajt sot në Mitrovicë, qindra anëtarë të strukturave të AKR-së së bashku me kryetarin e Komunës së Mitrovicës Agim Bahtirin, vendosën t’i bashkohen Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Kryetari Albin Kurti tha se një qytet me rëndësi strategjike për zhvillimin e ekonomisë dhe mbrojtjen e shtetësisë si Mitrovica, është me fat që për dy mandate e ka në krye Agim Bahtirin, i cili i zmbrapsi mujsharët e vjetër dhe strukturat e Serbisë që bënin zullum mbi popullsinë shqiptare në Mitrovicë, dhe dëshmoi që qëndresa e rezistenca njëmend vlen e sjell rezultate, kur nuk lejoi në asnjë mënyrë që Vinarci, Gushavci, Vidimiriqi dhe Suhodolli të shkojnë me pjesën veriore të Mitrovicës, pavarësisht trysnisë së lartë të shumë pushteteve.
Kryetari uroi ardhjen e Bahtirit dhe qindra aktivistëve në Lëvizje, dhe tha se Lëvizja me ose pa koalicione po marshon sigurte dhe fuqishëm drejtë fitores, dhe se ardhje e bashkime të tilla vetëm sa na forcojnë në atë drejtim.
Bahtiri falënderoi kryetarin Kurti që i ka dalë në ndihmë në një kohë kur Mitrovica i ishte lënë krimit, strukturave paralele serbe dhe trysnisë së tyre për ta ndarë qytetin e Mitrovicës te lumi Ibër. Sipas tij, ishte përkrahja e Kryetarit Kurti për t’iu kundërvënë atyre pushteteve që asokohe kërkonin ndarje të qytetit – si e vetmja përkrahje nga Prishtina, që e shtyu jo vetëm atë, por edhe gjithë strukturën e AKR-së, t’i bashkohen Lëvizjes në këto zgjedhje, drejt bërjes së Albin Kurtit Kryeministër të vendit.