28 03 2024

Kujtimi i Masakrës së Izbicës: 25 vjet pas, në qendër kërkesa për Drejtësi!

25 vjet më parë, në mëngjesin e 28 marsit 1999, forcat serbe rrethuan fshatin Izbicë të Skenderajt dhe filluan sulmin ndaj popullsisë civile duke masakruar 147 shqiptarë. Pas krimit mizor trupat u varrosën n Izbicë, për t’u zhvarrosur më pas nga të njëjtat forca serbe që më pas i morën trupat e pajetë dhe i shpërndanë në vende të ndryshme nëpër Kosovë dhe Serbi. Në Izbicë ka varre bosh, gjashtë persona ende rezultojnë të zhdukur.

Për ta kujtuar këtë ngjarje, këtë krim të Serbisë që sot mbushi 25 vjet, Kryeministri, Albin Kurti, bashkë me bacën Rifat Jashari, nderuan të vrarët e kësaj masakre duke vendosur lule të freskëta te varrezat e tyre në fshatin Izbicë të Skenderajt.

Pranë Memorialit, Kryeministri Kurti tha se plagët e kësaj masakre nuk mund të mbyllen përderisa kriminelët nuk janë në burg. Gjaku i tyre ndodhet në themelet e lirisë dhe të shtetit tonë, tha ai.

“Nuk u kursyen as gratë, as fëmijët e as pleqtë. Në fakt këta edhe qëllimisht u synuan e u qëlluan, sepse Serbia me operacionin “Patkoi” synonte shfarosjen e shqiptarëve dhe zbatimin e projektit të saj gjenocidal kundër nesh”, u shpreh ai. Me keqardhje, tha ai, për gjithë këtë masakër, ku janë vrarë 147 shqiptarë, vetëm një person është arrestuar.

“Prokuroria e Shtetit e ka mundësinë për të përndjekur, e sistemi i drejtësisë në përgjithësi, edhe për të gjykuar në mungesë. Besoj që është e padrejtë, e padurueshme, që për masakrën e Izbicës është arrestuar vetëm një person, meqenëse kanë të drejtë të gjykojnë në mungesë”, tha kryeministri.

Ai përsëriti se Prokuroria e Shtetit e ka mbështetjen e plotë, të parezervë e të pa kursim të Qeverisë së Republikës, që kriminelët e luftës që na i vranë gratë, fëmijët e pleqtë të cilët e donin tokën dhe lirinë e vetë, të jenë prapa grilave, në mënyrë që të kemi drejtësi dhe dalëngadalë të na mbyllen plagët.

Të pranishëm në homazhet në Izbicë ishin edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, zëvendësministri i Punëve të brendshme, Bardhyl Dobra dhe zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Mevlud Sinani.

Kontribo