Kundër heqjes së flamurit kombëtar
Në mbrëmjen e datës 13 shkurt, pasi ra terri, me urdhër të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, u angazhuan forca të shumta policore dhe njësi speciale për të hequr flamurin kombëtar shqiptar, i cili është ngritur me leje të rregullt nga Komuna e Prishtinës.
Arsyeja pse dhanë urdhër të hiqet flamuri kombëtar shqiptar i ngritur me leje, është që të ngrihet flamuri zyrtar i Kosovës, tek i cili nuk gjen as historinë tonë në përmbajtje dhe as demokracinë plebishitare në aprovim. Nuk zëvendësohet flamuri i kuq me shkabën e zezë dykrenare në mes me flamurin që për kritere dizajni kishte përjashtimin e të kuqes dhe të zezës.
Flamuri zyrtar i ka vendet e veta ku ngrihet siç parashikohet në ligj, po ashtu i ka vendet ku sipas protokollit ngrihet në raste festash. Por në asnjë ligj apo rregullore nuk parashikohet që të ngrihet flamuri zyrtar te rrethi “Idriz Seferi”, në hyrje të Prishtinës, as në përditshmëri e as në raste festash.
Ky aksion i ndërmarrë natën, ka si qëllim ndërtimin e të ashtuquajturit identitet kosovar në kurriz të identitetit tonë kombëtar shqiptar. Pikërisht për këtë arsye u ndërmor në terr, e me prezencë të lartë policore. Por në Kosovë secili që është përpjekur të ulë flamurin shqiptar për të ngritur flamuj të tjerë, ka dështuar. Ne shqiptarët jemi shumicë absolute në Kosovë, dhe nuk do të vonojë koha kur do të arrijmë të vendosim vetë për veten tonë, gjithnjë duke i respektuar të drejtat e komuniteteve të ndryshme e minoriteteve që jetojnë mes nesh e me ne.
Heqja e flamurit kuqezi është e turpshme, edhe pse faqet e atyre që japin e zbatojnë urdhra të tillë ka kohë që nuk skuqen. Është e turpshme, sepse flamuri kombëtar nuk e konteston pavarësinë e as sovranitetin e Kosovës. Te rrethi në Prishtinë Kosova ka sovranitet, nuk ka nevojë për aksione policore e në terr në atë vend. Po të ishte se shqetësohen për shtrirjen e sovranitetit të Kosovës qeveritarët, atëherë do të kërkonin ngritjen e flamurit në veri të Kosovës apo në enklavat që i kanë krijuar vetë, përmes decentralizimit etnik. Flamuri i Serbisë jo vetëm që po valon në Leposaviq, por edhe 5 km. larg rrethit të Prishtinës, në Graçanicë. Dhe jo thjesht në një hapësire publike, si rrethi, por në shtizën zyrtare të institucioneve komunale. Pavarësia e Kosovës kontestohet vetëm atje ku ngrihet e valon flamuri i Serbisë, i një vendi që pasi na mbajti afër një shekull nën pushtim mizor e shtypës, pasi na vrau e na preu me qëllim spastrimi, ende sot nuk na e njeh pavarësinë e nuk kërkon falje për krimet e bëra.
Ne e dimë se loja me flamujt po bëhet për të mbuluar dështimet katastrofale të kësaj qeverie e të qeverive paraardhëse, të cilat e kanë varfëruar Kosovën, ia kanë shkatërruar industritë përmes privatizimeve të egra, ia kanë vjedhur pasuritë nëntokësore përmes koncesioneve kriminale, ia kanë asgjësuar prodhimin vendor e bujqësinë përmes korporatave që importojnë nga Serbia. Janë këto qeveri që me korrupsionin e tyre e kanë izoluar Kosovën dhe na e kanë nxjerrë faqen e zezë në gjithë Evropën, ku mediat shkruajnë se ne qeverisemi nga kriminelë. Janë këta qeveritarë që e kanë çarmatosur UÇK-në e na kanë lënë pa ushtri, e kanë shitur idealin kombëtar e duan të na shkatërrojnë identitetin e historinë, gjithçka për të siguruar pushtetin e tyre. Asnjë lojë me flamur, natën apo ditën, nuk mund t’i mbulojë turpet e tyre.
Është krejt e gabueshme të tregohet fuqia e shtetësisë së Kosovës kundër flamurit kombëtar. Pavarësia erdhi si rezultat i sakrificës shekullore me flamurin kombëtar kundër shtetit serb.
E dënojmë heqjen e flamurit kombëtar shqiptar dhe përpjekjen për ta fshirë shqiptarizmën nga faqja e Kosovës. Kërkojmë nga ata që e hoqën, ta kthejnë sa më shpejt flamurin kombëtar aty ku ishte më përpara. Mbetemi të përkushtuar e të angazhuar që popullit tonë sa më shpejt t’ia sigurojmë mundësinë që të vendosë vetë, demokratikisht, për shtetin e vet, që nga simbolet, flamuri e himni, e deri tek e drejta për t’u bashkuar me Shqipërinë.