29 01 2019

Kundër privatizimit të Telekomit

Sot Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, dhe Drejtuesi i Komitetit për Komunikime Elektronike dhe Postare, Fatban Bunjaku, u takuan me Kryetarin e Sindikatës së Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj, dhe anëtarët e Kryesisë, Shpëtim Zharku dhe Naim Haliti. Në takim u bisedua rreth vendimit të qeverisë për nisjen e procesit të privatizimit, moszbatimin prej 6 muajsh të rezolutës së Kuvendit dhe situatës së punëtorëve.

Qeveria nuk ka pasur as interesimin dhe as vullnetin për ta zgjidhur krizën e sajuar brenda Telekomit. Kontrata abuzive me Z-mobile, keqmenaxhimi dhe shfrytëzimi brutal i kapaciteteve të ndërmarrjes për interesa krejtësisht private duhen zgjidhur nga institucionet e Kosovës. Për këtë nuk duhet të ketë kompromis. Përfshirja e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në vlerësimin e gjendjes së ndërmarrjes me kusht nisjen e procesit të privatizimit për Telekomin është i papranueshëm.

Problemeve të menaxhimit qeveria po i qaset a thua se ato janë fakt i dhënë, i pandryshueshëm. Mbipunësimet partiake në Telekom nuk i shkaktuan punonëtorët profesionistë por segmente të partive të pushtetit. Bordet drejtuese cilësisht të dobëta, pa integritet u emëruan e votuan nga të njëjtët. Vijimin e kontratës abuzive me Z-mobile po e paraqesin si fatalitet ndërkohë që kanë përgjegjësitë dhe instrumentet për ta ndalur.

Sindikalistët na njoftuan se nga viti 2008, Telekomi i ka paguar qeverisë 530 milionëv euro dividentë. Investime strategjike nuk bëhen, lidhen kontrata abuzive, paguhen shpenzime marramendëse, punësohen persona me lista, kurse, në funksionin e auditit të brendshëm vendosen familjarë të pushtetarëve. Prokurorisë i janë kallxuar dhjetra kontrata abuzive, por nuk ka përgjigje nga ana e tyre. Drejtori i parafundit i Telekomit e gjeti këtë ndërmarrje me rëndësi ekonomike e strategjike me 48 milionë euro në thesar, dhe e la me 200-300 mijë euro dhe me borxhe të panumërta që paraqiten me procedura përmbarimi. Sindikalistët shtuan që edhe sot në Telekom ka gra e burra të shkëlqyer e të zotë në profesionet e tyre një pjesë e të cilëve prej rrethanave po zgjedhin largimin nga vendi.

Republikës sonë nuk i mungojnë burimet njerëzore me nivel të lartë profesionalë brenda Kosovës e në mërgatë. Në mungesë e vonesë është vendimarrja racionale qeveritare, ndershmërisht e guximshme, për ta çkapur Telekomin.

Me 31 janar 2019 në Gjykatën Themelore të Prishtinës mbahet seanca ku do të tentojnë ta ekzekutojnë gjobën që ia zhvat Telekomit 30 milionë euro. Teksa më 18 dhjetor Gjykata themelore në Prishtinë i shpalli të pafajshëm përgjegjësit e rinj dhe të vjetër lidhur me aferën “Dardanfon – Z-mobile”.

Organizimit të krimit të organizuar që ka kapur institucionet na duhet gjithsesi t’i përgjigjemi me organizimin qytetarë e të punëtorëve që e kanë mbajtur barrën në Telekom.

Jemi të vendosur që Telekomin ta mbështesim të rimëkëmbet me modele bashkëkohore, jo privatizuese. Potenciali për zhvillim është tepër i madh për t’ia hequr nga pronësia publikut, qytetarëve të Kosovës.

Kontribo