Kush po e arreston Albulenën?
E arrestuam dhe Albulenën. Do krijojmë një parajsë për serbët dhe një rezervat burgu për cilindo mbron të drejtat në nivel kushtetues për shqiptarët. Me pjesëmarrjen e ndërgjegjshme të shqiptarëve të partive. Jo, shumë më keq: me pjesëmarrjen e heshtur të shqiptarëve veteranë dhe pacifistë. Sepse, në ndërgjegjen e tyre të lodhur, disa shqiptarë janë pacifistë dhe veteranë për sa i takon çështjes së tyre. U arrestua dhe Albulena. Nuk kishte si të mos arrestohej Albulena. Kështu, në mënyrë të heshtur, kemi arrestuar dhe të atin, dhe familjen, dhe të qenit deputete, dhe familjen e saj.
Dhe kur arrestohet Albulena më shkon mendja natyrshëm te votuesit e LDK-së, te baza e LDK-së. Sepse nuk e di me cilët janë ata? Me Ibrahim Rugovën apo me Isa Mustafën. Mendoj për anëtarin e thjeshtë të LDK-së, jo për atë që përfiton ditë për ditë prej dhunës mbi shtetin shqiptar të Kosovës. Anëtari i LDK-së, sipas filozofisë rugoviane e do paqen me çdo kusht. Anëtari i LDK-së sipas filozofisë së Isa Mustafës e do Serbinë brenda Kosovës me çdo kusht. Ditën kur arrestohet Albulena dhe historia e popullit rezistues të Kosovës, ka fituar Isa Mustafa mbi Ibrahim Rugovën. Le ta dijë këtë çdo aktivist e anëtar i LDK-së. Kështu e shohim ne të tjerët prej jashtë. E ta dijë që veç turpi i ka ngelë. Sepse kur vetëm 3% janë pro Zajednicës, duhet ta vlerësojë ky njeri skizofreninë e madhe në të cilën është zhytë: përpara atdheut, partia; përpara Rugovës, Mustafa; përpara historisë, Beogradi. E kur të jetë i qetë, në vetmi të vetë, le të shtrojë një pyetje të thjeshtë: sa për qind e shqiptarëve votojnë arrestimin e deputetëve që nuk e pranojnë Beogradin brenda Kosovës.
E pra pacifist rugovian: po e mbështet mirë vazhdimin e luftës me Serbinë. Qëkurse je me arrestimet që i bën qeveria e Mustafës opozitës ndaj dhënies së sovranitetit dhe territoreve, po e përgatit luftën. Nuk ka paqe më të keqe se dhuna që përgatit luftën. Të paktën pacifizmi i Rugovës përgatiti luftën çlirimtare. Dhuna e Isa Mustafës mbi opozitën po përgatit pushtimin. Dhe mos mendo o pacifist rugovian se të ka mbetë ndonjë lidhje me Rugovën. Je zhytë thellë në vite e ke ringjallë Rahman Morinën. Nga skutat më të thella të ndrydhjes e nxorre dhe njëherë të keqen dhe i dhurove mbështetje. Dhe nesër, kur gjërat të ndryshojnë mos më thuaj se Isa Mustafa ishte i vetmi fajtor.
E pas pacifistit vjen veterani, që po aq në majë të gishtit të Thaçit nuk sheh talljet me Jasharajt. Veterani, ose baza e PDK-së, me shpirtin e vet te lufta çlirimtare heshti para urës së Ibrit siç po hesht dhe Zajednicën. Përsëri partia para atdheut. Edhe njëherë degjenerimi i Jasharajve në formë Thaçi. Nga skutat më të thella të ndrydhjes erdhi shuarja e trimit. Nga trimat u kalua prapë te viktima. Albulena u arrestua. O veteran a më thua dot se kush po e arreston Albulenën? Janë po ata që goditën Gani Krasniqin. Po kush janë ata, nëse nuk i kanë marrë votat dhe mbështetjen tënde? E pra, ti që rri heshtur nën petkun e veteranit e ke arrestuar luftën dhe rezistencën.
E kështu me radhë. Heshtja e arreston drejtësinë dhe viktima e vret. Pacifizmi dhe veterani i heshtur, për ata mendoj tani.
Lufta e një populli nuk shuhet dot por vullneti i disa njerëzve shuhet prej interesit. Opozita sot është shumica. Është mirë që të ndihet zëri i veteranëve dhe pacifistëve që mos të përfundojmë në LDK Mustafash dhe në PDK Thaçësh. Sepse nuk mund të arrestohet një popull. Albulena e arrestuar është frika e të paktëve që janë vënë në shërbim të Beogradit dhe që fshihen pas jush, pas emrit tuaj, pas vullnetit tuaj të lodhur. Edhe pak duhej që vullneti i Bacës të kryhej. Por me heshtjen tuaj ju po na e shtyni projektin. Por, pa merak, heshtja juaj nuk kthen nga rruga popullin që është sot në opozitë. Albulena nuk është arrestuar, nuk është ndalur. Vullneti juaj është i arrestuar, ka ndalur së punuari. Mirë është të nisni e ta çlironi veten.
Autori është profesor i Filozofisë në Tiranë