20 05 2015

LAJMI QË GLAUK KONJUFCA ËSHTË SHPENZUESI I DYTË MË I MADH NË KUVEND, ËSHTË I PAVËRTETË!

Lëvizja VETËVENDOSJE! reagon fuqishëm kundër shpifjes së fundit ndaj Drejtuesit të Grupit tonë Parlamentar, z. Glauk Konjufca, se gjoja ky i fundit paska shpenzuar më së shumti derivate të paguara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, duke bërë gjoja 6 mijë e 17 kilometra me veturë zyrtare.

Fillimisht Glauk Konjufca nuk ka qenë nënkryetar i Kuvendit gjatë muajit mars, kështuqë nuk mund të ngarkohet për tre muajt e parë të vitit 2015 por vetëm për 2 muaj.

E dyta, gjyma e këtyre kilometrave, janë të bëra gjatë muajit mars, nga nënkryetarja e re e Kuvendit të Kosovës, znj. Aida Dërguti, meqë ajo jeton jashtë Prishtinës (në Vushtrri) dhe është e detyruar të udhëtojë për çdo ditë Vushtrri – Prishtinë – Vushtrri.

E treta, deputeti Konjurca, ka bërë rreth 1400km për 2 vizita zyrtare në Tiranë dhe një në Shkup, si përfaqësues i Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe jo më shumë se 650km në tërësi, për aktivitetet e tjera zyrtare brenda territorit të Republikës së Kosovës gjatë muajve janar dhe shkurt.

E katërta, matja e shpenzimeve me kilometra është tendencioze ngase kjo nuk flet për shpenzimet e përkthyera në para, të cilat shumë deputetë i kanë më të larta. Lëvizja VETËVENDOSJE! që kur ka hyrë në Kuvendin e Kosovës, është përcaktuar që të zgjedh makinën më ekonomike që e posedon Kuvendi dhe ka refuzuar kategorikisht që të shfrytëzoj çfarëdo makine të shtrenjtë që ka shpenzime të larta. Aktualisht, makina që është shfrytëzuar nga z. Konjufca dhe tash znj. Dërguti, është e tipit SHKODA RAPID (1.6) dhe shpenzon mesatarisht 5l/100km, pra 3 herë më pak se sa gjipat që shfrytëzohen nga deputetët e partive të tjera.

Lajmi i plasuar në media se gjoja Glauk Konjufca është shpenzuesi i dytë më i madh nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, është i pavërtetë dhe tendencioz duke e keqcituar qëllimisht edhe raportin e fryer dhe po ashtu tendencioz të komisionit përkatës të Kuvendit të Kosovës.

Kontribo