30 09 2019

Le t’i shqyejn posterat, forca e Lëvizjes është te zemrat e qytetarëve

Në pallatin e kulturës “Jusuf Gërvalla” në Deçan, deputetët e mazhorancës së ardhshme, Zekë Sinanaj dhe Mirlinda Tishukaj Sadiku nga Deçani, Xhelal Sveçla, Glauk Konjufca dhe nënkryetarja e Lëvizjes, Fatmire Mulhaxha Kollçaku folën para qindra deçanasve për programin e qeverisë Kurti.

Zekë Sinanaj tha se kërkesën për ndryshim po e dëgjojmë gjithandej. Ata që e kanë zhvatur vendin tani po i shohim të zbutur duke kërkuar sërish votën, e kinse për ndryshim. Por, të gjithë e kanë të qartë tashmë se kur për flasim për ndryshim në drejtësi e ekonomi, shëndetësi e arsim, luftim të krimit e korrupsionit dhe për të drejta të punëtorëve, në mendje e kemi Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe qeverinë e saj në krye me Albin Kurtin.

Mirlinda Tishukaj Sadiku shtroi pyetjen se a mund të bëhet ndryshimi me njerëzit e njëjtë? Një Jo – jehuese në sallë zbriti te fjala e saj për gratë e vajzat që kanë diplomuar e magjistruar e që tani qëndrojnë nga 12 orë nëpër arkat e hipermarketeve, te djemtë që shërbejnë si kamarierë milionerët e pashkolluar dhe te Lëvizja që do e ndryshojë këtë gjendje. Posterat në Deçan mund të shqyhen, por jo edhe vullneti i qytetarëve të Deçanit që janë përcaktuar për ndryshimin. Ajo tha se me 6 tetor duhet dhe do t’i jepet shansi Lëvizjes dhe Albin Kurtit për ndryshime.

Nënkryetarja, doktoresha Fatmire Kollçaku Mulhaxha kujtoi që sot është 21 vjetori i rënies në luftë të doktorit dhe humanistit, Doktor Shpëtim Robaj. E gjithë salla duartrokiti për veprën e tij.

Tutje, ajo foli për rëndësinë e një shëndetësie publike, sigurimet shëndetësore dhe ndryshimet tjera që do i bëj Lëvizja në mënyrë që një sëmundje e rëndë të mos e hedh në varfëri një familje siç po ndodhë tani. Ajo përmendi edhe përkrahjen e grave dhe vajzave që do e bëjë qeveria e re përmes bursave për studime, banimit të përballueshëm për gratë kryefamiljare dhe qiftet e reja në nevojë. Me 6 tetor, porositi ajo, duhet t’i japim fund këtyre që kanë qeverisur e që tani flasin për ‘mentalitetin e robit’, me Albin Kurtin dhe programin e Lëvizjes Kosova do bëhet një vend i jetueshëm për të gjithë, e sidomos për ata që kanë nevojë.

Duke iu referuar të kaluarës, rritjes së vazhdueshme të Lëvizjes, Xhelal Sveçla tha se ajo përcakton fitoren tonë në zgjedhjet e 6 tetorit. Tashmë është kuptuar që ne jemi ndryshimi dhe e kemi për detyrë të kthejmë shpresën në vend e duke e bërë këtë do i kthejmë edhe investimet edhe rininë. Është për shkak të së ardhmes së Kosovës që e kemi për detyrë ta bëjmë këtë vend të jetueshëm. Sa më i thellë dallimi me kundërshtarët në këto zgjedhje aq më i thellë ndryshimi. Edhe 6 ditë për Kosovën edhe 6 ditë për Albinin kryeministër.

Glauk Konjufca tha se pas 6 tetorit fëmijët do ta kuptojnë më mirë se ç‘është çerdhja, nxënësit se ç’është shkollimi, studentët se ç’është universiteti, bujku se çka janë subvencionet pa të njohshëm. Rinia do e prek punësimin e pleqtë pensionin e dinjitetshëm kurse ekonomia zhvillimin. Të gjitha këto do të ndodhin sepse në krye do vijë Albin Kurti. Qeveria Kurti do të jetë e përgjegjshme dhe e ndjeshme, profesionale dhe e ndershme, ajo do ta çrrënjosë krimin e korrupsionin, klientelizmin dhe nepotizmin.

Të tjerët le të shqyejnë postera se fuqia e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk është te posterat por te zemrat e qytetarëve.

Kontribo