26 04 2019

Lepur ik, duam Republikë

Sot, në orën 11:55, tek zyra e Prokurorisë së Shtetit, në rrugën Luan Haradinaj, në Prishtinë, disa mijëra qytetarë u mblodhën paqësisht në një protestë të thirrur pak ditë më parë.

Protesta u hap me fjalët e deputetes Albulena Haxhiu, e cila tregoi se ky aktivitet është vetëm hapi i parë, në drejtim të zhbllokimit të prokurorisë së kapur nga pushteti e të frikësuar nga krimi. Znj. Haxhiu kërkoi që prokuroria të dëgjojë kërkesat e qytetarëve, duke lejuar prokurorët e aftë e të ndershëm të punojnë, e duke larguar shërbëtorët e PANhajnisë. Vetëm kështu do të fillonte hetimi i pasurisë të paligjshme të pushtetarëve.

Më pas, disa studentë u veshën si prokurorë dhe ngritën aktakuza për keqpërdorim të buxhetit dhe abuzim me detyrën, kundër disa prej njerëzve më të korruptuar në pushtet. Kështu, Arbër Binaku ngriti aktakuzë kundër Pal Lekajt, Yll Sokoli kundër Kadri Veselit, Berita Abazi kundër Hashim Thaçit dhe Altinë Nika kundër Aleksandër Lumezit.

Protesta u mbyll me fjalët e Glauk Konjufcës: “Ky nuk është kryeprokuror, por është prontokuror. Jemi bërë bashkë këtu me shpallë një aktakuzë kolektive ndaj sistemit tonë të dështuar të drejtësisë. Të pandehurit janë pushtetarët e korruptuar dhe prokurorët e shitur. Kurse emri i krimit është amnistia e keqbërësve nga prokuroria e shtetit.”

Falënderojmë të gjithë qytetarët që morën pjesë sot në protestën për largimin e kryeprokurorit, si dhe aktivistët që punuan për përgatitjen e mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, i cili do të pasohet nga tubimet e tjera kundër PANhajnisë dhe zyrtarëve të korruptuar në prokurori e qeveri.

Kontribo