16 05 2016

LËVIZJA I FTON GRATË PËR ZGJEDHJET E BRENDSHME

Gratë duhet të angazhohen politikisht per ta ndryshuar raportin e pabarazisë në shoqëri. Lëvizja VETËVENDOSJE! i fton ato që të bëhen pjesë e procesit zgjedhor të brendshëm i cili po ndodhë në Lëvizje. Këto u thanë gjatë tubimit me gra.

“Sot e kemi thirrur këtë takim sepse i kemi shpallë zgjedhjet e brendshme. Kjo është mundësi e mirë për demokratizimi i shoqërisë. Sa më shumë gra që angazhohen, mundësitë për një shoqëri më të barabartë, janë më të mëdha”, tha nënkryetarja e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Fatmire Kollçaku.

Ajo shtoi se vetëm një subjekt politik që i promovon politikat barazimtare përbdlrenda subjektit mund të flasë edhe për barazinë në shoqëri.

“Çdo grua sot është e mbingarkuar. Pavarësisht nësë është e punësuar ose jo, ajo është e angazhuar në shtëpi ose jashtë saj. Gruas duhet t’i hiqet barra e rëndë e punëve të shumta dhe kjo bëhet duke bërë politika publike”, shtoi nënkryetarja Kollçaku.

Ne nuk kemi dilema se a duhet të jetë gruaja e pranishme aty ku merren vendime të rëndësishme. Të gjitha vendimet politike e ndikojnë atë, ndaj ajo duhet të jetë pjesë e vendimmarrjes.

Kurse nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti foli mbi historikun e angazhimit të grave e vajzave në Lëvizje. Ajo përmendi edhe emra të përveçëm të aktivisteve shembull.

“Teuta dhe Marigona, dy emra grash të shquara në histori, rastisi të jenë bashkohanike dhe u bënë shoqe në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Ato iu bashkuan Lëvizjes, në kohën kur në tërë Kosovën kishim disa dhjetëra aktivistë. Aktivistët si Marigona dhe Teuta, u bënë boshti i Lëvizjes dhe shembulli më i mirë për aktivistët që erdhën më tej”.

Dërguti përmendi edhe aktivistet Alexanda Channer dhe Dejona Mihali të cilat kanë ardhur në Prishtinë duke lënë punët dhe angazhimet e mëparshme për t’u përqendruar me tërë kapacitetin e tyre në Lëvizje.

Për të arritur barazinë në vendimmarrje, pikënisja është angazhimi e kontributi i përbashkët.

Edhe Sekretarja e Gruas Aktiviste, Nazlie Bala i ka ftuar gratë që të jenë pjesë e procesit zgjedhor të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

“Gratë dhe vajzat janë pjesë e barabartë e politikës. Të votosh është një lejekalim për sferën publike. Ne duhet të luftojmë e punojmë më shumë për barazi”, tha Bala. Ajo theksoi më tej, se kjo punë nuk i takon vetëm një grupi të shoqërisë.

“Po nuk patëm përfshirje të madhe të grave e vajzave, nuk mund të bëjmë ndryshime në shoqëri. Lëvizja VETËVENDOSJE! është e vendosur për ndryshime të mëdha dhe kjo është e mundur vetëm me angazhimin e madh të grave e vajzave.

Kontribo