Lëvizja jonë bëhet pjesë e Aleancës Progresive
Dje morëm lajmin që pas Internacionalës Socialiste, tashmë edhe Aleanca Progresive e ka pranuar Lëvizjen VETËVENDOSJE! si pjesë të sajen. Kjo Aleancë është bashkim i subjekteve, më të mëdha botërore, të socialdemokratëve, socialistëve dhe progresistëve.
Vlerat e saja janë bashkëpunimi për Liri, Drejtësi e Solidaritet; që ta bëjmë shekullin XXI një shekull të progresit demokratik, shoqëror e ekologjik; përveç progresit shoqëror, Aleanca Progresive zotohet që edhe ta mbrojë këtë progres kundër kundërshtarëve autoritarë dhe reaksionarë të cilët në mënyrë agresive vënë në dyshim vlerat tona të përbashkëta. Gjithashtu, të kundërshtojë populizmin e djathtë që ndjek një politikë ndarjeje, nxit urrejtje dhe frikë e promovon margjinalizimin dhe izolimin.
Në konferencën e sotme, kryetari, z. Albin Kurti, bashkë me sekretarin për Marrdhënie me Jashtë, z. Kreshnik Ahmeti e kumtuan këtë arritje të madhe për subjektin tonë, por edhe për të gjithë vendin. Aleanca Progresive, me të gjitha vlerat e saja ka parë te Lëvizja jonë fuqinë organizative e intelektuale për të kontribuar e për ta përmisuar vendin.
Në fjalën e tij, z. Ahmeti, bëri të ditur që: “Në mbledhjen e djeshme, Bordi i Aleancës Progresive, i përbërë nga afër 100 anëtarë që përfaqësojnë subjekte politike e organizata partnere, ka votuar unanimisht për pranimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në këtë platformë ndërkombëtare.” E, në këtë organizatë ka edhe shumë subjekte të cilat vijnë nga vendet ku nuk e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës. Kësisoj, kjo platformë është shumë e vlefshme e mundësi e madhë që ne të lobojmë për njohje të reja e të krijojmë lidhje diplomatike me këto vende.
Por, Kosova është në gjendje të rëndë. Prandaj edhe angazhimi ynë nuk ndalet. Si në qeveri, po ashtu edhe në opozitë, paradoksalisht, si subjekti më i madh, anëtarësimet në organizata të tilla na mundësojnë që të marrim të gjithë përvojen e vendeve të zhvilluara. Në fjalën e tij, kryetari Kurti theksoi edhe që: “Ne duam të krijojmë vende të mira pune dhe të luftojmë papunësinë, për të siguruar shpërndarjen e barabartë të të ardhurave ose rishpërndarjen e pasurisë, e ta garantojmë barazinë gjinore. Demokracia është çelësi për liri dhe dinjitet. Ideja jonë për një shoqëri të lirë, të hapur, gjithëpërfshirëse dhe të përbashkët është një ide e fuqishme.”
Puna jonë po vazhdon. Rikthimi në qeverinë e mirë përveç që është i pashmangshëm, është edhe më se i domosdoshëm. Kurse, ne jemi të përkushtuar ndaj kohezionit shoqëror dhe drejtësisë sociale. Progresin e interpretojmë si solidaritet i të fortit me të dobëtin dhe mbrojtjen e ndërsjelltë ndaj rreziqeve kryesore në jetë. Së bashku do të krijojmë punë të denjë dhe të drejta për punëtorët sepse jemi të vendosur në luftën kundër varfërisë, shfrytëzimit, krimit e keqpërdorimeve.