05 12 2020

Lëvizja VETËVENDOSJE! merr pjesë në Konferencën e 32-të të Partive të Gjelbra Evropiane

Gjatë tërë ditës së sotme u mbajtë Konferenca e 32-të e Partive të Gjelbra Evropiane. Kjo është hera e tretë që përfaqësues të Lëvizjes VETËVENDOSJE! marrin pjesë në punimet e këshillit të përgjithshëm. Kësaj radhe Lëvizja VETËVENDOSJE! u përfaqësua nga deputetja, Fitore Pacolli, dhe sekretari për marrëdhënie me jashtë, Kreshnik Ahmeti. Siç është bërë rregull tashmë në normalen e re, edhe kjo Konferencë u organizua në distancë. 

Diskutimet filluan me krizën e pandemisë COVID-19 dhe efektet e dëmshme të cilat kanë ardhur nga ajo, edhe si rezultat i privatizimit të sistemeve shëndetësore dhe mungesës së investimeve në sistemet shëndetësore publike. Kjo krizë gjithashtu ka rritur tendencat autoritare në shumë vende, duke rrezikuar liritë e shoqërive evropiane. Kriza e pandemisë COVID-19, po shihet si një prelud i krizave të ardhshme edhe më të mëdha, e veçanërisht të atyre ekologjike, për të cilat nevojitet përgatitje më e madhe e bashkëpunim shumë më i thellë. 


Zgjidhjet për krizat e tilla vijnë nga organizimet në nivele lokale e deri tek bashkëpunimet ndërshtetërore e rajonale. Beteja për ta miratuar deklaratën e urgjencës ekologjike dhe për t’i realizuar masat e saj në nivel lokal; investimet në shëndetësinë publike; mbrojtja dhe përparimi i të drejtave të grupeve të margjinalizuara; zhvillimi i qendrueshëm ekonomik dhe urban; bashkëpunimi lokal e kombëtar dhe solidariteti ndërpartiak e ndërkombëtar, janë parakushte drejt një tranzicioni të drejtë për shoqëri të qendrueshme e të barabarta, të cilat mund t’i bëjnë ballë krizave të së ardhmes.

Kontribo