Lëvizja VETËVENDOSJE! përshëndet protestën që do të mbahet të hënën më 9 maj në Shkup
Lëvizja VETËVENDOSJE! përshëndet protestën që do të mbahet të hënën më 9 maj në Shkup. Kjo protestë është shprehje e përbashkët e organizimeve të ndryshme qytetare shqiptare në Maqedoni, dhe adreson problematikat shqetësuese që ka krijuar pabarazia etnike të cilën tash e shumë vjet e përjetojnë shqiptarët në Maqedoni.
Është për t’u vlerësuar fakti se kjo protestë po mbështetet nga të gjitha subjektet opozitare shqiptare, si dhe nga grupe të ndryshme të interesit qytetar e shoqëror të shqiptarëve në Maqedoni, të cilat më në fund kanë gjetur fjalën e përbashkët për t’u organizuar.
Lëvizja VETËVENDOSJE! përkrah secilin organizim të përbashkët të shqiptarëve në Maqedoni që i kundërvihet politikave diskriminuese që kanë prodhuar qeverisjet e deritanishme të Gruevskit dhe aleatëve të vet.
Formula mbi të cilën është krijuar Maqedonia është një formulë delikate. Ky shtet nuk mund të ketë stabilitet, në kurriz të shqiptarëve. Ndaj e vetmja mënyrë që Maqedonia të mbijetojë, është pranimi i shqiptarëve si popull tërësisht i barabartë, si për sa i takon të drejtave qytetare, ashtu edhe sa i takon të drejtave kombëtare. Është e vërtetë e mirënjohur se shqiptarët jetojnë në trojet e tyre historike, ku nuk janë minoritet e as imigrantë, ndaj dhe nuk mund t’i nënshtrohen diskriminimit maqedonocentrik. Shqiptarëve duhet t’u lejohet të kenë institucionet e tyre, në secilin sektor e segment, në secilën fushë të shtetformimit, të politikbërjes, të krijimit kulturor dhe të prodhimit ekonomik.
Shpresojmë që bashkimi i shqiptarëve në protestën e datës 9 maj, të çelë një perspektivë të re, emancipuese për shqiptarët e Maqedonisë. Një perspektivë që duhet t’i japë fund pabarazisë.