Lëvizje e Gjerë, Struktura të Reja, Drejtim Progresist, Organizatë e Fuqishme
Platforma për Kryetar të LVV nga Albin Kurti, Platforma e Gruas për LVV nga Albulena Haxhiu dhe e Rinisë për LVV, nga Behar Jashari u prezantuan sot para anëtarëve dhe aktivistëve tanë.
Në sallën e mbushur me qindra aktivistë dhe anëtarë tanë, për herë të parë duke qenë njëherazi Kryeministër i Republikës së Kosovës, Albin Kurti prezantoi platformën e tij programore për mandatin e ri 4 vjeçar në krye të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, organizatës politike më të madhe në vend.
Po ashtu në këtë tubim u bë shpalosja e platformave programore për organizatën Gratë për VETËVENDOSJE! nga kandidatja Albulena Haxhiu, dhe Rinia për VETËVENDOSJE! nga kandidati Behar Jashari.
Në tubim folën kandidati për kryetar të Qendrës së Prishtinës, Arben Vitia dhe kryetari i Kuvendit njëherazi anëtari i Kryesisë së LVV-së, Glauk Konjufca.
Në tetor të vitit 2019 dolëm të parët për herë të parë. Në shkurt të vitit 2021 u bëmë shumicë për herë të parë. E këtë të premte bëhen një vit e gjysmë që jemi në drejtimin e Republikës sonë. Periudha nga fitorja plebishitare e 14 shkurtit e deri më sot ka qenë e mbushur me sfida por edhe me suksese. Pandemia dhe agresioni ushtarak rus mbi Ukrainën që shkaktoi krizë energjetike dhe ekonomike ka goditur edhe Kosovën, por besoj se jemi më të duhurit për të udhëhequr në këtë kohë krize dhe këtë duhet t’ia dëshmojmë popullit që na ka besuar, tha Kurti në hapje të fjalës së tij, para prezantimit të platformës programore.
Planifikimi në organizatë me rritjen e anëtarësisë së grave, të rinjve dhe mërgatës nga njëra anë, dhe përgatitjen për zgjedhjet lokale dhe mandatin e dytë qeverisës nga ana tjetër, janë faktorë kyç në rritjen dhe zhvillimin e organizatës tonë, tha Kurti.
Platforma 10 pikëshe që u prezantua në detaje nga kryetari Kurti, ka këtë renditje:
(1) Rritja e numrit të anëtarëve të moshave të reja;
(2) Rritja e anëtarësisë së vajzave dhe grave;
(3) Krijimi i kohezionit midis brezave, grupeve shoqërore, e botëkuptimore;
(4) Forcimi i shkollës politike dhe dimensionit ekzekutiv të saj;
(5) Promovimi i organizimit sindikal në sektorin privat;
(6) Përgatitja e burimeve njerëzore dhe programore për Zgjedhjet lokale 2025;
(7) Përgatitja e Platformës politike për mandatin e dytë të Qeverisjes;
(8) Rritja e rrjetit të Qendrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në mërgatë;
(9) Angazhimi i studentëve dhe profesionistëve në organizatën politike të Lëvizjes;
10) Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe ai jashtë shtetit e brenda kombit tonë.
Si mendimtarë dhe aktivistë socialdemokratë ne duhet të promovojmë bashkëpunimin qytetar mes njerëzish të feve, etnive, klasave, e botëkuptimeve të ndryshme. Ideologjikisht nuk mund të jemi gjithëpërfshirës por ajo që mund të bëjmë është ta rrisim llojllojshmërinë socioekonomike e botëkuptimore të qytetarëve me pikëpamje politike të majta që aderojnë tek ne. Duke bërë kështu ne ofrojmë organizatën tonë si shembull të kohezionit shoqëror që na duhet gjithandej shoqërisë tonë, theksoi Kurti në prezantimin e platformës programore (2022-2026) që do të votohet këtë të diele me 26 shtator.