29 09 2019

Lipjan: 126 rrahje zemre në minutë për Qeverinë Kurti

Në shtëpinë e kulturës në Lipjan mbajtëm tubimin e radhës mobilizues. Salla ishte e mbushur përplot me të rinj, të cilët do të marrin pjesë edhe më masivisht në votimet e 6 tetorit.

Kandidati nga Lipjani Berat Reçica në fjalimin e tij u shpreh i bindur se siç rrëzohet shkëmbi kur nuk i ka tre këmbë ashtu do t’i rrëzojë edhe qeveria Kurti, rivalët politik të cilët nuk janë për shtet të së drejtës, shtet zhvillimor e shtet social. Kandidati Reçica u bëri thirrje qytetarëve se, “nuk është marre me ndërru parti. Marr është me të vjedhë e më të mashtru për 20 vjet e t’i prap me i votu”. Ndërsa kandidati jonë tjetër nga Lipjani Xhelal Haliti u zotua se Lëvizja dhe lista jonë fituese është zëri i qytetarëve dhe i të drejtave të tyre të përditshme, se me numrin 126 Kosova do të ketë mirëqenie, punë e jo skllavëri.

Kandidati Liburn Aliu mes brohoritjeve të parreshtura të qytetarëve tha se qeverisja Kurti me të keqen ballafaqohet me guxim ndërsa qytetarit i shërben me përulje. “Shtetin e çkap ai që pret me padurim ballafaqimin e madh dhe prandaj ne themi erdhi dita”, tha veprimtari dhe luftëtari Aliu dhe shtoi se, “me datën 6 tetor do të fillojë çkapja e shtetit, por do të ndodhë edhe çkapja e LDK-së prej PDK-së”.

Fitore Pacolli tregoi se Lëvizja do të fitojë sepse nuk shkon më që varfëria e pabarazia të jenë kaq të thelluara në Kosovë, që ushqimi të kushtojë më shumë sesa në vendet e Europës, ndërkohë që punëtorët paguhen shumë më pak sesa atje. Nuk shkon më me shkolla e spitale të mjeruara! Le ta bëjmë Kosovën shtet, tha kandidatja Pacolli, “që punon për të gjithë, fëmijë, burra, gra, punëtorë e pensionistë”.

Kandidati Glauk Konjufca shpjegoi se Lëvizja do t’i fitojë zgjedhjet sepse kemi programin që më së shumti i nevojtitet vendit tonë, kemi njerëzit më profesionalë që i ka Kosova, kemi vullnetin e dijen për transformimin e vendit, kemi guximin për ta çrrënjosur krimin dhe korrupsionin, kemi ndjeshmërinë për ta ndërtuar barazinë e solidaritetin dhe mbi të gjitha e kemi njeriun e duhur për ta udhëhequr vendin.

“Lëvizja do ta luftojë mafian, do t’i konfiskojë pasuritë e bëra me krim e korrupsion dhe do t’i eliminojë e zhdukë monopolet e PAN-hajnisë”, tha ai.

Në përfundim të tubimit kandidati Konjufca u shpreh së me 7 tetor Kadri Veseli bashkë me Ramush Haradinajn do të marrin vesh se si luftohet korrupsioni dhe Vjosa Osmani ka me kuptu se kujt i beson popullit”.

Secili e ndjen në zemër me 126 rrahje në minutë programin e Lëvizjes VETËVENDODSJE!. Secili e ndjen në zemër dhe ia merr mendja se erdhi dita e tij dhe e saj për t’u bërë pjesë e barazisë, drejtësisë e zhvillimit të vendit.

Kontribo