Marrëveshja që i dha territor Malit të Zi, parapërgatitje për ndarje
Duke marrë për shkak 5 vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi sot një konferencë për media ku foli anëtari i Kryesisë dhe deputeti i saj, Liburn Aliu dhe profesori e deputeti, Shpejtim Bulliqi.
Profesor Bulliqi foli për aspektin profesional e shkencor të vendosjes së kufijve ku përmendi humbjet në rastin e vendosjes së kufirit me Maqedoninë dhe me Malin e Zi duke paralajmëruar rrezikun në rast se një ndarje kufitare e përpjekjeve të ngjashme synohet të bëhet edhe me Serbinë.
Me Malin e Zi, sipas tij nuk është bërë demarkim i kufirit por delimitim i tij, vendosje e një kufiri të ri që i jep 83 km katror ose 8200 hektar tokë Malit të Zi bazuar vetëm në kriterin e kadastrit, të cilin nuk e posedon as Kosova por as edhe Mali i Zi. Bulliqi foli edhe për komisionin të shtetëror të cilin e udhëheqi ai, raportin e përpiluar me të gjeturat që kanë evidentuar lëshimet e bëra nga komisioni shtetëror i Mehës dhe shkarkimin e këtij komisioni këtë vit për shkak se nuk i pranoi rezultatet e komisionit Meha.
Liburn Aliu u ndal te aspekti politik i dy marrëveshjeve të gushtit, 25 gusht, të ‘Zajednicës’ dhe 26 gusht të ‘demarkacionit’ ku tha se klubi i stërvjetruar politik me në krye Thaçin përmes këtyre dy marrëveshjeve ka provuar të na vëjë përballë dy mundësive: ndarjes dhe bosnjëzimit të brendshëm të cilin do ta përdorte Thaçi për të na kërcënuar, dhe marrëveshjes me Malin e Zi që do e testonte cenimin e territorit të vendit për të parë se a jemi të gatshëm të japim territor.
“Pra nënshkrimi i marrëveshjes së 26 gushtit, 2015 dhe ratifikimi i saj me 21 mars, 2018 e sjell ndër mend 25 gushtin, 2018 ku në konferencën e Alpbach të Vjenës moderatori e pyet Thaçin se a është i gatshëm të jap territor për marrëveshje?, dhe ku ky përgjigjet se po, është i gatshëm”, tha ai.
Sipas deputetit Aliu, vënia e opinionit publik para dy të këqijave, mes bosnjëzimit dhe ndarjes dhe ofrimi i precedentit të ndryshimit të kufirit është përgatitje e terrenit për të ndodhur ndarja.
Marrëveshja me Malin e Zi dhe ratifikimi i saj vetëm sa ishin shenjë inkurajuese për fqinjët që pashmangshëm do të pasohen nga ana e Serbisë, tha Aliu, i cili përmendi edhe përpjekjet e reja të klubit politik për të bërë marrëveshje me Serbinë.
“Me mungesë të plotë legjitimiteti, me një të shkuar të errët të marrëveshjeve të dëmshme, të papërgatitur dhe të pa koordinuar dhe pa platformë nuk ka se si të jetë ndryshe pos një rrezik i radhës për të ardhmen e vendit. “
“Vendi duhet të shkoj në zgjedhje, para Serbisë duhet legjitimitet, platformë dhe unitet”, theksoi ai në fund të fjalës së tij.