MBAJTJA NË BURG E DEPUTETËVE, DO TË KETË KOSTO TË MADHE PËR QEVERINË
Gjykata Themelore e Prishtinës, me një trupë gjykuese të udhëhequr nga gjyqtari Beqir Kalludra ka vendosur që të zgjasë edhe për dy muaj mbajtjen në paraburgim të deputetëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! që janë Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli. Po ashtu, është vazhduar edhe për dy muaj arresti i shtëpisë për deputeten e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi.
Është i njëjti sistem i gjyqësorit, i cili në 16 vitet e pasluftës dhe në 8 vite të pavarësisë kurrë nuk ka nisur procese të tilla kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar i cili është prezent në të gjitha nivelet e larta të politikës dhe ekonomisë në vend.
Ky gjyqësor sot po përdoret, pikërisht nga kriminelët në pushtet, që të mbajë pa asnjë të drejtë në burg deputetët të cilët ende kanë imunitet në bazë të mandatit të marrë nga votat e popullit.
Këta deputetë, të gjitha veprimet që i kanë bërë, i kanë bërë me ndërgjegje të plotë politike, për të ndalur marrëveshjet e dëmshme që i ka sjellë qeveria e paaftë, e korruptuar dhe e shantazhuar e Mustafës dhe e Thaçit. Pra sot ata janë të burgosur politikë.
Vendimi i padrejtë për të mbajtur në burg deputetët do të ketë një kosto të madhe për pushtetin. Ne nuk do të ndalemi së protestuari.
Kërkojmë të lirohen menjëherë deputetët dhe aktivistët e tjerë. Kërkojmë që qeveria të ndalë mbrojtjen me dhunë të marrëveshjeve të padrejta për Zajednicë dhe Demarkacion.
Protestat e janarit po afrojnë. Në ato protesta jo vetëm që do të ndalet zbatimi i marrëveshjeve, por do të ndalet edhe praktika e korruptuar sipas së cilës qeveria kontrollon gjykatat e policinë për të burgosur opozitën. Qeveria e re do të sjellë liri edhe për gjykatat e për institucionet e rendit, që sot janë të kapura në mënyrë skandaloze nga Qeveria e Rashkës dhe nga SHIK-u.