22 10 2022

Mbledhja e I e Këshillit të Përgjithshëm të organizatës Gratë për VETËVENDOSJE!

Organizata Gratë për VETËVENDOSJE! është krijuar si hapësirë e re e organizimit dhe artikulimit të kauzës feministe në Lëvizjen tonë.

Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti mbledhjen e parë të Këshillit të Përgjithshëm të organizatës së saj të ndërvarur “Gratë për VETËVENDOSJE!”. Në këtë mbledhje morën pjesë kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, kryetarja e GVV-së, Albulena Haxhiu dhe të gjitha delegatet e organizatës së GVV nga qendrat tona.

Në fjalën e tij kryetari Kurti tha se jemi të bindur se fuqizimi i grave do të thotë fuqizim i shoqërisë dhe se avancimi i të drejtave të grave është avancim i të drejtave njerëzore. Gratë duhet të kenë organet e tyre politike për ta fuqizuar rolin dhe rëndësinë e tyre në Lëvizje, duke përfshirë struktura dhe mekanizma të reja që iu shërbejnë dhe iu ndihmojnë në angazhimin për emancipim gjinor e shoqëror.

“Gratë anëtare dhe aktiviste të VETËVENDOSJE!-s gjithnjë e kanë pasur angazhimin e dyfishtë, sa me politika të përgjithshme po aq edhe me ato gjinore sepse që në krye të herës është kuptuar që shoqëria patriarkale e ndrydh së pari gruan. Edhe tani me organizimin e GVV-së do ta keni angazhimin e dyfishtë sa në GVV, po aq edhe në Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe për këtë më vjen keq, por jam i bindur se gratë do t’ia dalin me kauzat e tyre sepse edhe ne do t’i ndihmojmë pa kursim”, tha kryetari Kurti.

“Unë si kryetar i LVV dhe si kryeministër angazhohem pa kursim për krijimin e Republikës sonë vend të barabartë e të drejtë”.

Ndërsa kryetarja e Organizatës Gratë për VETËVENDOSJE!, Albulena Haxhiu, tha se “Gratë për VETËVENDOSJE!” ka ardhur si nevojë për angazhim dhe organizim edhe më të fuqishëm të grave, për ta ndryshuar gjendjen së pari brenda nesh në Lëvizje e pastaj kjo do të ketë edhe impakt të madh edhe në shoqëri, dhe se duam e do ta ndërtojmë së bashku një Lëvizje ku ka vend për vajzat dhe gratë, po aq sa për djemt e burrat sepse organizata jonë sikur edhe shteti ynë është edhe i grave po aq sa i burrave.

“Si GVV, do të jemi të pakompromis kur vjen fjala tek barazia gjinore. Me strukturat dhe me anëtarësinë e GVV-së do të punojmë që të avancohemi si gra, të gjitha së bashku. Anëtarësimi i grave dhe vajzave në GVV e në Lëvizje është kryeproriteti jonë, andaj duhet të angazhohemi aktivisht që të rrisim anëtarësinë me gra”, tha kryetarja Haxhiu.

“Gratë në politikë, duhet të jenë mundësia për përmirësimin e gjendjes së vajzave dhe grave, derisa gratë e papunësuara dhe punëtore duhet të trajtohen me dinjitet. Në shtëpi dhe në vendin e punës, në lagje, fshat e qytet, gjatë ndarjes së trashëgimisë e me regjistrim të pasurisë në emër të grave, në konkurset qoftë në nivel qendror apo privat”.

Në mbledhjen e sotme konstituive Këshilli i organizatës Gratë për VETËVENDOSJE! zgjodhi strukturat e saj në nivelin qëndror:

Kryesuese e Këshillit të GVV – Fatmire Mulhaxha Kollçaku

Zëvendëskryesuese – Violeta Emini Salihu

Nënkryetare- Tinka Kurti

Sekretare organizative – Agnesa Kastrati

Anëtare të kryesisë:

Saranda Bogujevci

Fitore Pacolli

Nazlie Balaj

Arieta Fejza

Arijeta Rexhepi

Shaipe Metaj Isufi

Fatmire Cecelia

Nita Shehu

Rinë Zhitia

Kontribo