Mbledhja e I e Këshillit të Përgjithshëm të organizatës Rinia për VETËVENDOSJE!
Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti sot edhe Këshillin e parë të organizatës sw re Rinia për VETËVENDOSJE!.
Lëvizja jonë gjithnjë është frekuentuar nga të rinjtë sepse te ne përmes diskutimit dhe aktivitetit të sinqertë është ndërtuar besimi i ndërmjetëm që ka tejkaluar rëndësinë e moshës.
Duke uruar e dëshiruar fillim të mbarë të punës, kryetari Kurti tha se me formimin e kësaj organizate që në vetvete përmban struktura e organizim më të detajuar, vetvetiu krijohet e shtresohet edhe më shumë ajo që e ka karakterizuar gjithnjë Lëvizjen VETËVENDOSJE!, aktivistin e saj. Përgjegjësia e vetëdija për atë që e rrethon e mbi atë që kontribuon. Mbi supet tuaja e mbani përvojën e angazhimit, entuziazmin e vullnetit, vendosmërinë e qëndrimit e zellin e punës.
“Pjesëmarrja e të rinjve në politikë nuk është thjeshtë e karakterit elektoral ku votohet, e madje nuk është më as thjeshtë e pjesëmarrjes në ndonjë punë vullnetare, fushatë vetëdijesimi, apo aktiviteti politik e publik. Këto janë të pazëvendësueshme, por ajo që është e re ka të bëjë me diçka që ka ndikim shumë të madh në formësimin e të rinjve, jo vetëm për atë se çka mendojmë dhe themi, por edhe për atë se si dhe pse mendojmë. E kam fjalën hapësirat virtuale, rrjetet sociale ku tashmë ekziston një zonë tjetër e komunikimit dhe angazhimit politik ku të rinjtë krijojnë përmbajtje dhe e shpërndajnë atë në formë të organizuar. Të rinjtë e Lëvizjes tonë duhet të synojnë të jenë sa më aktiv në këtë zonë duke shpërndarë materialet tona por edhe duke provuar krijimin, përkatësisht zgjatimin e atyre materialeve përmes tekstit apo formave të tjera audiovizuale si mënyrë shumë e përshtatshme për diskutim me qytetarët dhe për mendim kritik e emancipim të përgjithshëm”, tha ndër të tjera kryetari Kurti.
“Puna e rrugëtimi i Lëvizjes me bindje të plotë mund të quhet epitomë e rezistencës, e qëndresës, e këmbënguljes drejt arritjes së realizimit të qëllimeve jo lehtë të realizueshme. Shpresa, këmbëngulja, e rezistenca, por mbi të gjitha besimi; veti këto që duhet, e që në fakt edhe janë përcaktuese të aktivistit tipik të Lëvizjes, uroj që të ju përcjellin deri në fund të mandatit, e edhe më tutje”.
Kryetari i organizatës Rinia për VETËVENDOSJE!, Behar Jashari fillimisht ju uroi secilit e secilës punë të mbarë në detyrat që kanë marrë e në përgjegjësitë që bartin tash e tutje.
“Rinia për VETËVENDOSJE! është organizatë e sapoformuar. Por kjo tregon më pak se ç’jemi. E edhe më pak për atë se çfarë e sa do arrijmë. Rreth vetes kemi përvojën e mjaftueshme, në vete energjinë e nevojshme dhe mbi të gjitha vullnetin e palëkundur që të punojmë e të zhvillohemi bashkarisht. Ndër ne vlon dëshira për përmirësim të vazhdueshëm. Këtë dëshirë, e që në thelb është domosdoshmëri, prandaj rrjedhimisht edhe e ndjejmë si nevojë, me patjetër do na duhet ta përkthejmë në punë të pakursyer. Punë kjo që duhet të karakterizohet me e të jetë përplot përkushtim e seriozitet. Aktivitetet tona, përveç organizimit të mirëfilltë, do të kenë edhe përmbajtje që përkon me kërkesat dhe interesat e pjesës së shoqërisë të cilën e përfaqësojmë e për të cilën punojmë ne. Sepse, mos të harrojmë, ne jemi këtu për rininë që veçse është e angazhuar në Lëvizje, por duke pasur gjithnjë në mendje edhe të rinjtë e të rejat që iu duhet e do duhej të ishin në Lëvizje”, tha kryetari i RVV, Behar Jashari.
“Le ta nisim me këmbë të mbarë këtë rrugëtim e angazhim, për të intensifikuar punën tonë drejt qëllimeve e objektivave të përbashkët. Vrullin ëndërrimtar le ta përdorim për të vënë në lëvizje veten dhe shoqërinë. Na priftë e mbara!”
Në mbledhjen e sotme konstituive Këshilli i organizatës Rinia për VETËVENDOSJE! zgjodhi strukturat për nivelin qëndror:
Kryesues i Këshillit të RVV – Libron Kelmendi
Zëvendëskryesues – Erion Beqiraj
Sekretare organizative – Lidiona Marovca
Anëtarë të kryesisë:
Dea Lala
Rea Krasniqi
Drita Dibrani
Arianit Beqiri
Blerton Vehapi
Vlera Kërleshi
Verona Mehmetaj
Arbnor Ademi