Mbledhja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! me Qendrat e saj
Në këtë mbledhje morën pjesë kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! njëherazi Kryeministri i vendit, Albin Kurti, sekretari organizativ, Alim Rama, nënkryetarja e dytë, Mrika Limani-Myrtaj, Koordinatori i Qendrave, njëherazi deputeti Salih Zyba, si dhe nga kabineti qeveritar të pranishëm po ashtu ishin ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku, njëherazi sekretar për marrëdhënie me jashtë në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, si dhe zëvendësministri i MPJD-së, Kreshnik Ahmeti.
Në pjesën hyrëse, kryetari i Lëvizjes njëherazi Kryeministri Kurti dhe sekretari organizativ, Alim Rama, ngritën një mori çështjesh organizative, të cilat kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e punëve në dy nivelet organizative, në Pika dhe Qendra të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Rëndësi e veçantë iu dha nxitjes dhe dinamizimit të aktiviteteve me bazë komunitetin, opozitarizmit në Kuvendet Komunale dhe në komuna në përgjithësi, anëtarësimeve të reja në qendra, e po ashtu edhe funksionalizimin e trupave organizative të brendshme zgjedhore.
Nga drejtues të qendrave po ashtu u ngritën dhe bashkëbiseduan çështje politike dhe organizative të rëndësishme për komunat prej nga vijnë.
Tek situata politike u diskutua mbi punët që po vijojnë dhe planifikimet e mëtutjeshme, për të cilat foli Kryeministri Kurti. Mbi zhvillimet rreth anëtarësimit të Republikës tonë në Këshillin e Evropës dhe çështjet tjera ndërlidhëse, folën edhe zëvendësministri i MPJD-së, Kreshnik Ahmeti, si dhe ministri i MKRS, njëherazi sekretari për marëdhënie me jashtë në LV, Hajrulla Çeku.
Strukturat drejtuese të Lëvizjes VETËVENDOSJE! do të intensifikojnë dinamikën dhe punën organizative në komuna gjithandej Republikës, me aktivitete të shtuara, zgjerim në struktura dhe anëtarësime të reja.