29 09 2022

Mbledhja e Qendrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Pak ditë pas përmbylljes së procesit të brendshëm zgjedhor, Lëvizja VETËVENDOSJE! sot ka mbajtur mbledhjen e parë me kryetarët e rinj të qendrave, si dhe kryetarët e organizatave të reja të Lëvizjes, Gratë për VETËVENDOSJE! dhe Rinia për VETËVENDOSJE!

Në këtë mbledhje morën pjesë, Kryetari i LV-së, Albin Kurti, Kryetarja e GVV, Albulena Haxhiu, Kryetari i RVV, Behar Jashari dhe Koordinatori i Qendrave të Lëvizjes, Valon Hoti.

Në hapje të kësaj mbledhje, Kryetari Kurti uroi të gjitha kryetaret dhe kryetarët e rinj për postet e tyre. Ai tha se pret një bashkëpunim edhe më të dendur, edhe më të ngushtë, si dhe aktivitet të shtuara me secilën qendër dhe secilin kryetar/e.

Për herë të parë në këto zgjedhje u votua edhe për strukturat e reja “Gratë për VETËVENDOSJE!” dhe “Rinia për VETËVENDOSJE!” sepse tani do ta kemi edhe bazën vetë deleguese gratë dhe të rinjtë në VETËVENDOSJE!, jo më të emëruar si dikur nga udhëheqja, por të zgjedhur nga vetë gratë dhe të rinjtë që janë në Lëvizjen tonë, tha ai.

Kryetari Kurti në fjalën e tij theksoi nevojën që organizata të shtrihet gjithnjë e më gjerë që nënkupton anëtarësime të reja, drejtim progresist, dhe sa më shumë rini, gra e vajza që si në pjesëmarrje ashtu edhe në vendimmarrje prijnë në lëvizjen tonë.

Për gratë aktive në organizatë foli edhe Kryetarja e GVV, Albulena Haxhiu.

“Është shumë i rëndësishëm angazhimi ynë i përbashkët për rritjen e numrit të anëtareve dhe aktivisteve të Lëvizjes, por edhe pjesëmarrjen e barabartë në të gjitha organet e LV. Unë jam e bindur që pavarësisht sfidave që mund të kemi, çelësi për të jetësuar platformat tona është bashkëpunimi mes nesh sepse vetëm kështu organizatën tonë mund ta kemi edhe më të fuqishme”, tha ajo.

Ndërsa Kryetari i organizatës “Rinia për VETËVENDOSJE!”, Behar Jashari, në fjalën e tij ndau bindjen që RVV ka ardhur si domosdoshmëri e organizimit të brendshëm për shkak të rritjes shumë të madhe të rinisë në VETËVENDOSJE!. Rritja dhe shtrirja e RVV-së, aftësimi profesional dhe formimi ideopolitik i të rinjve janë ndër pikat më të rëndësishme që RVV do t’i shtyjë përpara, tha Jashari.

Pas fjalës hyrëse të Kryetarit Kurti, fjalës së Kryetares së GVV, Albulena Haxhiu, dhe të Kryetarit të RVV, Behar Jashari, fjalën e morën Kryetarët/et e sapo zgjedhur/a të Qendrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të cilët/at ndanë pjesë nga platformat e tyre fituese në këtë garë të brendshme për punët dhe angazhimin që na pret në secilin qytet e lagje të Republikës.

Kontribo