Mbledhja e XLIII e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti sot mbledhjen e XLIII të Këshillit të Përgjithshëm, ku anëtarët e organit më të lartë organizativ e votuan kryetarin Albin Kurti si kandidat për kryeministër në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen me datë 14 shkurt. Gjithashtu, anëtarët e Këshillit votuan që autorizimi sa i përket finalizimit të listës së kandidatëve për deputet, dhe ndërtimit të bashkëpunimeve me subjekte të tjera politike t’i bartet Kryetarit dhe Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Mbledhja u hap me fjalën e ish kryetarit të Kuvendit, ish ministrit të Punëve të Jashtme, ish Shefit të Grupit Parlamentar, tani anëtarit të Kryesisë së Lëvizjes dhe kandidatit për deputet, Glauk Konjufca, i cili foli për rrugëtimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! drejt mbështetjes gjithëpopullore që po e gëzon tani, dhe për rolin e themeluesit, kryetarit Albin Kurti ndër këto vite, të cilin edhe e propozoi si kandidat për kryeministër.
Konjufca tha se Lëvizja VETËVENDOSJE! me rrugëtimin e saj të gjatë sepse të drejtë tani gëzon besimin e popullit për t’i bërë ndryshimet e mëdha e të nevojshme në vend.
“Ky besim nuk është ndërtuar me klientelizëm e intervenca, nuk është ngritur me para e me favore, ai është kalitur me kurrizin drejtë e me ballin lartë për çdo ditë, për çdo javë, për çdo muaj, për çdo vit, e që 15 vite radhazi. Shumica e qytetarëve po e mbështesin konceptin dhe programin tonë sepse e duan çlirimin e drejtësisë së burgosur, e duan luftimin e krimit të organizuar që po kalëron mbi institucionet tona, dhe e duan çrrënjosjen e korrupsionit që po e gërryen shoqërinë tonë. Populli do drejtësi sociale, barazi dhe mirëqenie kurse ne do të qeverisim me ndershmëri, drejtësi dhe mençuri”, tha ai.
“Tash erdhi dita ta bëjmë një pyetje. Kush është më meritori për këtë rrugëtim të VETËVENDOSJE!-s? Kush është ai që VETËVENDOSJE!-n e konceptoi, e themeloi, dhe e drejtoi? Kush e ngriti atë deri këtu së bashku me ne? Cili prej nesh jetoi më së shumti, u zgjua e i mbylli sytë me VETËVENDOSJE!-n? Kush nuk u lodh bash asnjë sekondë duke ecur me VETËVENDOSJE!-n? Cili nga ne të gjithë ishte i pari në protesta e aktivitete, në Kuvend e në shesh, në përplasje me shtetin e korruptuar e nëpër burgje duke luftuar për drejtësi? Ju e dini shumë mirë se cili nga ne punoi më së shumti, ai që u tremb më së paku, e ai që për vete nuk kërkon kurrë asgjë. Zonja dhe zotërinj kam nderin e veçantë që ta prezantoj simbolin e VETËVENDOSJE!-s Albin Kurtin për Kryeministër të ardhshëm të Republikës së Kosovës.”
Pas Konjufcës fjalën e mori Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJEJ!, kryeministri i ardhshëm, Albin Kurti, i cili foli shkurt për të kaluarën e afërt, keqpërdorimin e besimit popullor, dhe për të ardhmen e ndritshme të ndryshimeve që na presin me qeverisjen tonë të ndershme, të drejtë, e të përgatitur.
“25 marsi na dëshmoi atë që të gjithë e dinim por që shpresonim që pas 6 tetorit kishte ndryshuar.
Nga ne kërkohej që të bëjmë kompromis me të drejtën dhe të vërtetën. Por ne jemi Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe nuk mund të bëjmë kompromis as për votë e as për pushtet, as atëherë as sot e as kurrë.
Ne jemi Lëvizje: meqë ecim përpara, nuk mund të kthehemi prapa. E rrugën përpara e dimë të gjithë. Në këto zgjedhje është bashkimi i të gjithë qytetarëve si kurrë më parë rreth projektit tonë të përbashkët për ta bërë Kosovën atdheun që të gjithë e dëshirojmë.”
“Me 14 shkurt na është dhënë një shans i dytë dhe kësaj radhe nuk rrezikojmë më sepse tanimë shoqëria jonë e ka parë, dhe e ka kuptuar dhe e ka mësuar se kush është ndryshimi i vërtetë. E ky ndryshim e ka emrin Lëvizja VETËVENDOSJE!.”
“Ne jemi të gjithë në të njëjtin projekt, atë që kemi pas kaherë. Është ky projekti i dëshmorëve të luftës dhe ndërtuesve të paqes. I atyre që rezistuan, i atyre që u flijuan, i atyre që u vranë e u burgosën, vetëm që ne të kemi lirinë dhe shtetin tonë. Është projekti i fëmijëve dhe të rinjve që kërkojnë përspektivë dhe progres. I prindërve e sidomos grave që kërkojnë punë dhe i mërgatës që dëshiron të kthehet e të investojë në vendin e vet.”
Kurti kërkoi që të peshohet mirë rëndësia historike e këtyre zgjedhjeve.
“Të rinj e të moshuar, vajza dhe djem, gra dhe burra, mërgimtarë e qytetarë të Kosovës kudo që jeni, që të gjithë bashkë duhet t’i përgjigjemi thirrjes për ndryshim dhe shtetndërtim, me votë, me 14 shkurt, sepse një e ardhme e ndritur na pret.”
Dhe cila është kjo e ardhme?
“Është e ardhmja ku fëmijët tanë marrin edukimin që meritojnë për t’u punësuar në një botë konkuruese dhe ku njohim intelegjencën e tyre.
E ardhmja ku investojmë në energji të qëndrueshme që fuqizon bizneset dhe prodhimin por mbron shëndetin dhe mjedisin për gjeneratat që vijnë.
E ardhmja ku biznesit nuk i vendoset ryshfeti për ta hapur e as haraçi për ta mbajtur atë.
E ardhmja ku bujku dhe fermeri jetojnë me dinjitet nga puna e tyre sepse shteti nxit dhe mbështet prodhimet vendore dhe i mbron nga konkurenca jolojale, duke vendosur masa të reciprocitetit dhe duke hapur dyert e eksportit.
E ardhmja ku secili qytetar, pavarësisht sa fiton, merr trajtimin e duhur shëndetësor. Jeta e secilit qytetar është e vlefshme dhe e barabartë njëlloj.
E ardhmja ku kemi një sistem të drejtë të taksave dhe ku ata që janë më me fat e fitojnë më shumë, ndajnë mirëqenien me ata që janë më keq e që janë në fund.
E ardhmja ku shteti lufton pabarazitë e çdo lloji, e sidomos pabarazitë historike dhe shoqërore në mes burrave dhe grave, mes qendres dhe periferisë, mes qytetit dhe fshatit, sepse në shtetin e së drejtës secili është i barabartë në mundësi dhe të drejta.
Sepse të drejtat e barabarta nuk kanë kuptim pa mundësitë e barabarta. Fëmija i një bujku në Kaçanik duhet të ketë mundësitë e barabarta për të zhvilluar talentin dhe për të jetësuar ëndërrat njëjtë sikurse fëmija i një avokati në Prishtinë.”
Kjo e ardhme është e mundur aq sa është i fuqishëm besimi ynë.
Në fund të fjalës së tij, Kryetari Kurti bëri thirrje për angazhim qytetarë për ta vulosur fitoren me datë 14 shkurt. Ai tha se në këto momente, sakrifica nga e kaluara dhe ëndrrat për të ardhmen, i bëjnë obligimin dhe dëshirën të njëjtën gjë për neve