16 12 2023

Mbledhja LIII e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Sot u mbajt mbledhja e fundit për vitin 2023 e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Në këtë mbledhje u diskutua për situatën politike dhe për çështje organizative, u miratua planifikimi buxhetor për 2024, Manifesti i GVV-së, dhe raportuan ministrat e kabinetit qeveritar për punën e bërë gjatë këtij viti.

Kryetari i Lëvizjes, njëherazi Kryeministri, Albin Kurti, në fjalën e tij hyrëse foli për aspekte përgatitore organizative që na duhen në nivelin lokal për zgjedhje lokale që po afrojnë dhe për të arriturat e qeverisë që ai drejton për këto 2 vjet e 9 muaj.


Derisa qeveritë as brenda një mandati të plotë nuk arrijnë t’i rrisin të hyrat buxhetore për 15% ne e kemi arritur këtë brenda një viti kalendarik janar-nëntor 2023, tha Kryeministri, Albin Kurti.

“Me politikat tona zhvillimore, të hyrat buxhetore gjatë periudhës janar–nëntor 2023 kanë arritur vlerën prej 2.6 miliardë euro, të hyrat buxhetore, 340 milionë euro ose 15% më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. A e kuptoni ne po e tejkalojmë veten për 15%. Në vendet e tjera qeveritë as ëndërr s’e shohin dot ta bëjnë brenda mandatit të tyre 15% më shumë se qeveria paraprake në vendin përkatës. Ne vit pas viti, këtë vit 15% më shumë të hyra se vitin e kaluar. Po i them këto se nuk transmetohen siç e dini ju. Për rrjedhojë, buxheti ynë për vitin 2024, i miratuar këtë javë në Kuvend, ka kapur vlerën prej 3 miliardë e 314 milionë euro, i cili paraqet buxhetin më të lartë që ka pasur Kosova ndonjëherë.  Gjithsej, nga fillimi i mandatit në vitin 2021, buxheti është rritur për 860 milionë euro apo 35%.”

Në 2/3 e mandatit kemi dyfishuar numrin e të rinjve të punësuar.

“Është dyfishuar edhe numri i të rinjve të punësuar, ku në fillim të vitit 2021, në fillim të vitit 2021 ishin 28 mijë e 293 persona të rinj, kurse në fund të korrikut 2023 numri i të rinjve të punësuar ishte 60 mijë e 884. Më shumë se dyfish brenda një mandati. Ma gjeni një qeveri jo në Ballkan po edhe në Evropë që e dyfishon, që më shumë se e dyfishon punësimin e të rinjve brenda një mandati për vetëm 2/3 e mandatit”, tha Kryeministri Kurti. 


Më parë nga qeverisja pasuroheshin individët, tash po pasurohet shteti. Nuk ka shtet në rajon e më gjerë që ka rritur BPV për 40% në 5 vjet, siç ka bërë Republika e Kosovës.

“Nga fillimi i mandatit në vitin 2021 buxheti është rritur për 860 milionë euro apo 35%. 2021 – 2024, për 3 vjet, 35% buxhet shtetëror më shumë. Këta para neve e mbani në mend se nuk keni si të mos e mbani në mend se e kemi përjetuar të gjithë në lëkurën tonë, në mendjet tona, e në kockat tona, pasuroheshin individët dhe tash i ka kapë sikleti pse po pasurohet shteti. Se këta janë mësuar individët me u pasuru nga qeverisja. Me neve nuk ndryshojnë kontot individuale por buxheti shtetëror. Viti i ardhshëm është viti i parë ku do të arrihet shifër dyshifrore miliardëshe e BPV-së, do të kalohen 10 miliardë. Në vitin 2020, që ka qenë vit pandemik, BPV ka qenë 6.78 miliardë që i bie një rritje prej 50% e BPV, ndërkaq krahasuar me vitin para-pandemik ku ishte rreth 7 miliardë i bie 40% rritje e BPV për vetëm 5 vjet. Ma gjeni një vend tjetër, jo veç në rajonin e Ballkanit ku BPV i shtetit rritet 40% për 5 vjet. Pra, me neve pasurohet shteti, pasurohet kombi, jo individët e veçantë, por individët qytetar të shtetit tonë në kuptimin universal të fjalës e jo partikular oligarkik të fjalës, prandaj edhe ekziston ky kundërshtim ndaj këtij progresi sepse ekziston një pakicë që po humbë shumë por ne jemi që shumica të fitoj gjithnjë më shumë. Kjo është qeverisja edhe e mirë edhe e drejtë edhe demokratike e juaja e jona e qytetarëve e Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, tha Kurti.

Ata që i denigrojnë subvencionet si harxhime koti të buxhetit nuk i kuptojnë nevojat e fëmijëve dhe të pensionistëve, të nënave e të studentëve, të qytetarëve të vendit tonë dhe as nuk i kanë prioritet ato.

“Qeveria jonë me vendime ka shpërndarë 842 milionë euro drejtpërdrejt te qytetarët dhe te familjet e Kosovës. Në këtë shifër përfshihet pakoja më e madhe mbështetëse në rajon sipas Bankës Botërore për të ndihmuar qytetarët në përballje me inflacionin dhe krizën energjetike, si përqindje të Bruto Produktit Vendor, sipas Bankës Botërore. Pra, këtë vit kemi ndarë gati 3 milionë euro për përmirësimin e kushteve të banimit për komunitetet joshumicë në gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale. Dhe këtë muaj, do të shtojmë edhe një subvencionim prej 100 eurosh për secilin fëmijë deri në moshën 16 vjeçare, si dhe për secilin pensionist marrës në Republikën tonë. Në lidhje me këtë, si Lëvizje duhet të jemi shumë të qartë për një gjë: Ata që i denigrojnë këto subvencione si harxhim i kotë i buxhetit të shtetit, nuk i kuptojnë nevojat e fëmijëve dhe pensionistëve, të nënave e të studentëve, të qytetarëve të vendit tonë dhe as që i kanë prioritet ato. Ata që i quajnë shtesat për fëmijë “lëmosha”, nuk e kuptojnë obligimin tonë shoqëror për të lehtësuar sadopak barrën e rritjes së një familjeje, barrë e cila bie disproporcionalisht mbi nënat. Ata as nuk e kanë prioritet pavarësinë financiare të grave, 90 mijë prej të cilave kanë hapur llogari bankare për herë të parë në emrat e vet, vetëm për shkak të këtyre shtesave. Që secili fëmijë dhe secili pensionist të përfitojë 100 euro më shumë gjatë festave të fundvitit, falë rritjes sonë rekorde ekonomike dhe buxhetore, nuk quhet lëmoshë por quhet drejtësi.”

Qeverisjet e kaluara për 17 vjet kanë ndërtuar 4  çerdhe për fëmijë. Ne nga marrja e mandatit 4  çerdhe i kemi përfunduar, 26 janë në proces të punës, 3 në proces të adaptimit, 8 në proces të tenderimit. 850% më shumë çerdhe në 2021-2023 sesa në periudhën 2003-2020.

“Nga viti 2003 deri në përfundim të vitit 2020, pra për 17 vite janë ndërtuar gjithsej 4 çerdhe për fëmijë. Për 17 vjet në Kosovë janë ndërtuar 4 çerdhe, 2003-2020. Nga marrja e mandatit tonë 2021 e deri më sot struktura e çerdheve është si vijon: 4 çerdhe të përfunduara, 26 në proces të punës, 3 adaptime të shkollave në çerdhe në proces të punës dhe 8 çerdhe në proces të tenderimit. Sipas kësaj i bie që 850% më shumë çerdhe janë në proces të ndërtimit ose të ndërtuara në periudhën 2021-2023 sesa në periudhën 2003-2020. A po e kuptoni se cila është kritika që na bëhet. Ata nuk mund të flasin për vete prandaj edhe shpifin për neve”. tha Kryeministri, Albin Kurti. 

Kontribo