26 12 2021

Mbledhja XLV e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Janë bërë 10 vjet e gjysmë qëkur kemi mbajtur mbledhjen e parë të organit tonë më të lartë organizativ Këshillit të Përgjithshëm, që i bie më shpesh se njëherë në tre muaj jemi mbledhur, që është e pashembullt në Kosovën e pasluftës për një subjekt politik, tha Kryetari Albin Kurti në fillim të fjalës së tij drejtuar delegatëve pjesëmarrës.

Fitorja jonë me 14 shkurt ishte më shumë se e nevojshme për ta shpëtuar vendin por ajo që gjetëm në shumë pjesë ishte edhe më keq sesa e mendonim. Një shtet përtoke që gjakonte në të gjitha anët e tërësisht i papërgatitur për sfidat e shekullit 21. Në kulmin e këtyre problemeve kishim luftimin e vazhdueshëm të pandemisë COVID-19, e tash edhe një sfidë tjetër, atë të krizës energjetike të shkaktuar nga faktorë të jashtëm dhe mungesa e vizionit të atyre që qeverisën me vendin për dy dekada.

“Unë e kuptoj sot frustrimin e secilit qytetar me mungesën e energjisë elektrike, më besoni se edhe unë jam i frustruar. Por le të jetë ky një rikujtim për gjendjen në të cilën ata që qeverisën për dy dekada na e lan shtetin, sepse si njerëz të territ që ishin e që punët i bënin natën e larg syve të qytetarëve, ata s’kishin se si ta linin Kosovën ndryshe pos në terr e në skëterrë”, tha Kurti.

Duke folur për arritjet e qeverisjes së re përgjatë periudhës prej 9 muajve në secilën fushë e sektorë, për paramentrat e shëndetshëm që kemi vendosur drejt dy zotimeve tona kryesore si punësimi dhe drejtësia, Kurti foli edhe për atë se çfarë na pret si organizatë në vitin 2022.

Me këtë stabilitet institucional që tash kemi, viti 2022 na jep mundësinë të planifikojmë më qëndrueshëm e pa urgjenca të krizave politike qendrore e lokale.

Në pjesën e parë të vitit që vjen fokusin tonë do ta kemi në zgjedhjet e brendshme dhe dy rregulloret shtesë që na nevojiten për organizatën e gruas së VETËVENDOSJE!-s dhe organizatën e rinisë.

Në pjesën e dytë do të punojmë për ta përmirësuar tutje organizimin në mërgatë.

Ndërkaq, gjatë tërë vitit 2022 fokusin ta kemi në fuqizimin e grupeve tona të asambleve komunale. Ashtu që aty ku nuk jemi në qeverisje duhet medoemos të bëhemi opozita kryesore ndërkaq aty ku jemi në qeverisje fokus ta kemi bashkëpunimin dhe sinergjinë mes komunës dhe qendrës sonë ku kryetari ynë i komunës mund të jetë edhe kryetar i ardhshëm i qendrës.

“Secila qendër të ketë përqendrim në aktivitete politike siç janë rinisjen e shkollës të nivelit politiko-organizativ në Qendra, debatet për politikat qendrore dhe lokale, me theks në politikat lokale, përfshirjen e aktivistëve në komunitet në Këshille të lagjeve e fshatrave, Këshille të shkollave/prindërve, sindikatave, odave të ndryshme na duhet ndihma prej të gjithëve për ç’kapjen përfundimtare të shtetit – sepse edhe zgjedhjet lokale kanë treguar që një pjesë e konsiderueshme e krimit të organizuar nga niveli qendror ku s’kanë më vend si dikur kanë zbritur në atë lokal dhe duhet të pamundësohet kapja e komuniteteve nga fondet, kapitali i zhvatur, i ekstraktuar në këto dy dekada, i cili fatkeqësisht edhe më tej vazhdon t’i ketë pronarët e njëjtë pa ju kthyer akoma shtetit të cilit duhet t’i përkisnin qoftë si mjete financiare apo si pasuri publike e natyrore.”

“Edhe ne, edhe qytetarët e duan këtë; i duhemi njëri tjetrit, dhe, duhet të fitojmë e do të fitojmë veçse bashkë. Ky zotim është edhe urim; andaj gëzuar festat e fundvitit dhe gjithë të mirat secilit prej jush në 2022!”

Në mbledhjen XLV të Këshillit të Përgjithshëm u morën edhe disa vendime: votimi i projektbuxhetit për vitin 2022, diskutimi dhe votimi për koalicionet dhe bashkëpunimet në nivel lokal për komunat Shtime, Dardanë, Junik e Sharr. Po ashtu Këshilli vendosi edhe për rinisjen e procesit të brendshëm zgjedhor së bashku me krijimin e dy organeve të reja: Gratë për VETËVENDOSJE!-n dhe Rinia për VETËVENDOSJE!-n.

Kontribo