27 09 2019

Me 6 tetor politika u merret tuxharëve e u kthehet qytetarëve

Fushata fituese e Lëvizjes kaloi sot mes tokash pjellore për t’u tubuar në Rahovec. Rahoveci ka shumë mundësi për zhvillim, shumë bujari mes banorësh e shumë dëshirë për punë, por pak mbështetje dhe vizion shtetëror.

Kandidati jonë Visar Korenica tregoi se qeverisja e Lëvizjes do ta avancojë bujqësinë duke siguruar treg për bujqit e fermerët bashkë me subvencionime e investime kapitale për ta. “Me ne do të kthehet dinjiteti për punë”, tha Korenica i cili edhe vjen nga Rahoveci.

Më së shumti, mungesën e mbështetjes shtetërore në vend e ndjejnë të rinjtë, ndërkohë që për Lëvizjen ata janë e vetmja shpresë e jona për ardhmëri. Kandidatja jonë Yllza Hoti tregoi se Lëvizja VETËVENDOSJE! beson fuqishëm në potencialin e të rinjve të Kosovës dhe në përfshirjen e tyre në vendimmarrje e qeverisje. “Me arsim e lidhur me ekonominë, të garantuar e papagesë, me shkolla profesionale e me bursa për vajzat tona studente të shkencave natyrore të rinjtë e Kosovës do të kenë shumë arsye për të qendruar e jetuar këtu”, tha ajo.

Ndërsa kandidati dhe profesori i shkencave politike Hysamedin Feraj u shpreh i bindur se me 6 tetor politika u merret tuxharëve dhe u kthehet qytetarëve. Me 6 tetor institucionet i kthehen shtetit në vend se të përdoren kundër territorit e sovranitetit. Me 6 tetor rithemelohet republika dhe shemben feudet.

Qeverisja Kurti do t’ia kthejë institucionet republikës përmes luftës kundër krimit, korrupsionit e kapjes së shtetit. Për kandidatin Rexhep Selimi kjo do të realizohet me ngritjen e dinjitetit për policinë e vendit duke u siguruar sigurimin e jetës, pensionin e parakohshëm, vettingun për udhëheqësit e lartë dhe mbikqyrje për ta. Kosova do të ketë, me fjalët e ish-komandantit të UÇK-së, policë të dashur për qytetarët e vet dhe tmerr për krimin dhe kriminelët. “Përkrah ringritjes së policisë edhe ushtria do të zhvillohet siç i ka hije e siç na e do nevoja brenda vetëm 4 viteve e jo 10 sa premtojnë ish-PAN-istët”, tha Selimi.

Në fjalën përmbyllëse, Kryeministri jonë i ardhshëm, Albin Kurti, shpjegoi vizionin e Lëvizjes për t’iu bërë krah bujqve e fermerëve në mbjellje e korrje me ngritjen e pikave të grumbullimit për produktet e tyre, mbrojtjen nga vërshimet, bërjen e sistemeve të ujitjeve, mbështetjen me subvencionime sipas nevojës e jo nepotizmit dhe me investime përmes grantit të katërt për komunat.

Përmes ligjit për mbrojtjen e prodhimit vendor, drejtuesi i qeverisë Kurti shpjegoi se në qeverinë tonë institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet publike do të furnizohen me prodhime vendore, shteti ynë duhet të bëhet konsumator i prodhimeve të vendit tonë.

“Taksimi progresiv mbi fitimin për solidaritet dhe rishpërndarje sipas nevojave shoqërore dhe investimi në projekte strategjike do t’ia kthejnë fytyrën Kosovës. Të gjithë do të korrin çkanë mbjellë në Rahovec e mbarë vendin, hajnat burgun e konfiskimin, punëtorët e bujqit punën me dinjitet e prodhimin, gratë barazinë e studentët arsimin siç e meritojnë”, tha në fund Kurti.

Kontribo