09 11 2015

Më 8 nëntor, në qytetin Kristianstad në Suedi u mbajt takim me aktvistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! që jetojnë në regjionin Skåne.

Në këtë takim u diskutua për gjendjen politike në Kosovë dhe përpjekjet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! së bashku me partitë tjera opozitare për t’i ndalur këto marrëveshje të dëmshme për Kosovën. Aktivistët u pajtuan që marrëveshja për “Zajednicën”, marrëveshjet tjera të 25 gushtit si dhe marrëveshja për Demarkacion me Malin e Zi, janë marrëveshje që e dëmtojnë rëndë Republikën e Kosovës dhe që patjetër duhet të kundërshtohen deri në tërheqjen e Qeverisë nga këto marrëveshje. Në këtë takim, aktivistët e shprehën përkrahjen e tyre ndaj protestave dhe aksioneve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe opozitës, qoftë në parlament apo jashtë tij.

Përgjatë këtij takimi u diskutua edhe për punët që duhet të bëhen për themelimin e Pikave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nëpër regjione të ndryshme të Suedisë, për të vazhduar pastaj edhe me themelimin e Qendrës së Lëvizjes në Suedi. U zgjodh Grupi Punues i Pikës në Skåne, i cili do t’i vazhdojë punimet deri në zgjedhjet e brendshme të Lëvizjes.

Takimet e tilla kanë për qëllim shtrirjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Suedi, dhe shumë shpejt do të vazhdohet me takime të tilla edhe në regjione të tjera të Suedisë ku jetojnë shqiptarë, si në Stockholm, Västra Götaland, e të tjera.

Kontribo