Me Lëvizjen gratë sjellin ditën e barazisë në shoqëri
Gratë janë kusht për ta rritur dhe intensifikuar barazinë mes nesh.
Me këtë dëshirë e qëllim kandidatet tona për deputete, mbajtën tubim për shpalosjen e prioriteteve të Lëvizjes që avancojnë pozitën shoqërore dhe ekonomike të grave në Kosovë.
Kandidatja për deputete dhe aktivistja për të drejta të njeriut, Saranda Bogujevci, kujtoi se gratë kurrë nuk rezistojnë, angazhohen dhe luftojnë vetëm për veten. Gjithnjë janë aty për të gjithë shoqërinë dhe nuk e duan një botë pa tjetrin. Gratë janë emri i barazisë në shoqëri. Lufta e tyre kundër papunësisë së lartë, shfrytëzimit, dhunës dhe përfaqësimit të ulët politik janë diskurs, brengë dhe prioritet i yni politik.
Garantimi i përfitimit të trashëgimisë familjare, sistemi shëndetësor i fortë publik, skema e punësimit të garantuar, hapja e çerdheve dhe forcimi i edukimit parashkollor, arsimi pa pagesë në të gjitha nivelet, bursat për vajzat studente, shtesat për fëmijët, banesat sociale dhe mbrojtja e të drejtave të punëtoreve janë masat e qeverisë Kurti që ndryshojnë radikalisht gjendjen e grave e rrjedhimisht të të gjithë shoqërisë tonë.
Nga mungesa e shtetit shqiptarët kombin e kanë mirëmbajtur në familje dhe nga mungesa e barazisë familjen e kanë mirëmbajtur gratë. Kryetari i Qendrës së Prishtinës, kandidati, Arben Vitia, përshkroi gjendjen e grave në shoqëri, ku sipas nevojës janë ekonomiste e pastruese, mjeke e mësuese; punëtore 24-orë në shërbim të pakursyer që ta mbajnë familjen të qetë brenda katër mureve. Jashtë mureve të shtëpisë mbeten më së shumti të papuna e ato pak që punojnë keqpaguhen e tej shfrytëzohen. Ngaqë mungon shteti social, gratë shfrytëzohen edhe më shumë. Një shoqëri që i dhunon, fsheh e shfrytëzon gratë është një shoqëri burrash të frikësuar. Gratë ia kthejnë guximin e barazinë dhe ia heqin frikën shoqërisë.
Sipas kandidates, Jetmira Vrenezit, pjesa më e bukur e fushatës së Lëvizjes janë pikërisht takimet e tubimet me gra. Ato janë të bindura se programi i Lëvizjes është rruga për avancimin e pozitave të tyre në shoqëri. Gratë e dinë se fitorja e Lëvizjes është vetëm fillimi i zgjidhjes së çeshtjeve të grave dhe thirrje për mobilizim edhe më të madh të tyrin pas 6 tetorit.
Temat me karakter gjinor nënvlerësohen me termin `punë grash`. Tinka Kurti, kandidate, bëri thirrje për çlirimin e krijimin e hapësirave publike pikërisht për ato që quhen çështje grash, që të dëgjohen e trajtohen me seriozitet e prioritet. Gratë kërkojnë një shtet të mirëqenies me një sektor publik të gjerë ku ka shtëpi të pleqve, çerdhe, kopshte, qendra kulturore për fëmijët e të tjera të ngjashme. Duhet të çlirohen nga kapja e shtetit mjetet e shoqërisë me dëshirën, ëndrrat e organizimin për ndarjen e tyre sipas nevojave për barazi, drejtësi e zhvillim.
Lufta për një shtet aktiv, social, e zhvillimor është edhe luftë për gratë dhe e grave në Kosovë. “Dobësimi i shtetit dihet që e godet më shumë gruan sesa burrin në familje e jashtë saj, e forcon patriarkalizmin dhe e rrit varësinë e gruas. Shteti ynë është dobësuar nga moszvhillimi, nga padrejtësia dhe pabarazia”, rikujtoi në fjalën e tij Kryeministri i ardhshëm Kurti dhe shtoi se, “erdhi dita për fitoren e madhe të grave e të burrave që vendosin vetë, fitorja jonë do të jetë fitore e grave dhe e vajzave që do të lëvizin për ndryshime si forcë emancipuese për të gjithë shoqërinë tonë”.
Gratë në lëvizje po ia shtojnë mobilizimin organizatës, por po ia shtojnë edhe zgjidhjet problemeve e vendit. Shteti me Lëvizjen dhe gratë do të jetë një shtet që nuk ia kap dhe mbyt mundësitë qytetarëve por i çliron dhe shpalos ato.